Lidhje

Zëvendës Sekretari i Shtetit Xhejms Stajnberg viziton Shkupin


Zëvendës sekretari i Shtetit Xhejms Stajnberg, cili ishte për vizitë në Shkup, falënderoi autoritetet e Maqedonisë për ndihmën që ushtarët e këtij vendi japin në misionet paqësore në Afganistan, Irak, Bosnjë dhe gjetkë. Ai theksoi se SHtetet e Bashkuara presin që problemi rreth emrit të Maqedonisë të gjejë një zgjidhje me ndërmjetësimin e ambasadorit Mathju Nimic.

Zëvendës-sekretari amerikan i Shtetit Xhejms Stajnberg u shpreh me tone pozitive për zhvillimin e zgjedhjeve të fundit presidenciale dhe vendore në Maqedoni. Pas një takimi me kryeministrin maqedonas, ai theksoi se Maqedonia është një vend që po ndërtohet si shtet shumëetnik dhe demokratik që paraqet një simbol të fortë, siç tha, për tërë vendet e rajonit. Zoti Stajnberg foli për nevojën e bashkëpunimit të gjerë për një rajon demokratik të Ballkanit. Ai tha se kishte pasur diskutime të frytshme me kryeministrin maqedonas Nikolla Gruevski.

Zyrtari i lartë amerikan, duke u ndalur tek angazhimi i Maqedonisë në misionet paqësore ndërkombëtare, tha se Maqedonia është një vend që ofron siguri dhe se ky është një kontribut i rëndësishëm, ndërkohë që la të kuptohej se bashkëpunimi strategjik midis SHBA-ve dhe Maqedonisë do të vazhdojë të thellohet.

Maqedonia e konsideron Amerikën si partner strategjik me të cilën ka një bashkëpunim të shkëlqyeshëm, siç vlerësojnë autoritete e këtushme. Shkupi shpreëson se ky bashkëpunim do të rezultojë me anëtarësimin e shpejtë të Maqedonisë në Aleancën veriatlantike të Natos.

Vizita e zotit Stajnberg ka të bëjë me nxitjen e zhvillimit ekonomik në rajon, hapjen e tregjeve dhe sigurimin e një qëndrueshmërie më të madhe në rajon.

Në lidhje me çështjen e emrit të Maqedonisë të kontestuar nga Greqia, zëvendëssekretari amerikan Steinberg tha se SHBA i mbështesin fort përpjekjet e ndërmjetësit Methju Nimec për gjetjen e një zgjidhjeje midis dy vendeve. Ai tha se Amerika e mbështetë fort këtë proces.

Zëvendëssekretari Stajnberg u takua edhe me presidentin e ri të Maqedonisë Gjorgje Ivanov, ndërsa do të takohet me ish-presidentin Branko Cërvenkovski dhe me kryetarin e partisë shqiptare Bashkimi Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti. Ky i fundit para pak kohësh në një formë ultimatumi i ka bërë me dije qeverisë në Shkup, ku bën pjesë dhe partia e tij, se nëse nuk gjendet një zgjidhje për emrin e Maqedonisë deri në vjeshtë, BDI-ja do të dalë nga koalicioni qeveritar. //bsa//

XS
SM
MD
LG