Lidhje

Prishtinë - Protesta për papunësinë dhe përmirësimin e kushteve


Qindra punëtorë e të papunë, protestuan të shtunën në rrugët e Prishtinës duke kërkuar më shumë punë dhe përmirësimin e kushteve të atyre që kanë tashmë një vend pune. Ata u bënë thirrje institucioneve që të fillojnë zbatimin e kontratave të punëtorëve, ligjin e punës, ligjin mbi sigurimin pensional dhe sigurimin shëndetësor. Ata janë ankuar po ashtu për procesin e privatizimit në Kosovë, i cili sipas tyre nuk ishte në favor të punëtorëve.

Haxhi Arifi, Kryetar i Bashkimit të Sindikatave të pavarura të Kosovës, tha se punëtorëve në Kosovë, si askund tjetër në Evropë, u shkelen të drejtat e tyre.

”Format dhe mënyrat e shkeljes së të drejtave janë nga më të ndryshmet. Shumë punëtorë, sidomos në sektorin privat e veçmas në ekonominë jo formale të paregjistruar nuk kanë kurrfarë statusi të punëtorit, nuk kanë kontratë pune, punojnë me orar të zgjatur, pa iu paguar punën jashtë orarit. Nuk kanë sigurim shëndetësor, pensional e invalidor. Nuk kanë pushim të paguar vjetor, pagat nuk iu jepen me rregull, etj.” tha zoti Arifi.

Protestuesit kërkuan edhe funksionalizimin e një dialogu të mirëfilltë social, si parakusht, siç tanë ata, për zgjidhjen e çështjeve të shumta që kanë të bëjnë me të drejtat dhe interesat e punëtorëve, por para së gjithash ata kërkuan krijimin e infrastrukturës ligjore për punëtorët ne Kosovë.

“Institucionet e Republikës së Kosovës duhet urgjentisht t’i miratojnë ligjin e punës, ligjin për organizimin sindikal, ligjin mbi grevat, ligjin mbi sigurimin pensional e invalidor dhe ligjin mbi sigurimin shëndetësor,” tha Haxhi Arifi, Kryetar i Bashkimit të Sindikatave të pavarura të Kosovës

Papunësia në Kosovë radhitet ndër sfidat kryesore të institucioneve të vendit. Sipas të dhënave zyrtare, shkalla e papunësisë arrin në 45 për qind, duke e radhitur Kosovën ndër vendet më të varfra në Evropë. Institucionet janë zotuar se në vitin 2009 do të ketë ngritje të zhvillimit ekonomik e edhe shtim të vendeve të punës, por pjesa e parë e këtij viti nuk ka shënuar përmirësime në gjendjen e rëndë ekonomike. //bsa//

XS
SM
MD
LG