Lidhje

Obama: Të dyja palët në debatin për abortin të ndalin akuzat


Presidenti Barak Obama tha përpara studentëve që diplomoheshin në universitetin më të madh katolik të vendit se të dyja palët në debatin për abortin duhet të ndalin akuzat ndaj njëra-tjetrës.

Zoti Obama, i cili e përkrah të drejtën e abortit, mbajti fjalimin e përshëndetjes në Universitetin e Notrë Damës, një institucion i administruar nga Kisha Katolike që është kundër abortit. Presidenti e pranoi në fjalimin e tij se dy pikpamjet për abortin janë të papajtueshme por tha se mes tyre ekzistojnë pika të përbashkëta.

Ai u bëri thirrje njerëzve në të dy anët e debatit të punojnë së bashku për të ulur numrin e grave që kërkojnë abort, për të pakësuar shtatzanitë e padëshiruara dhe për t’i bërë më të lehta birësimet.

Disa qindra kundërshtarë të abortit demonstruan jashtë ceremonisë së diplomimit. Një numër personash e ndërprenë fjalimin e zotit Obama megjithatë ai u prit me duartrokitje entusiaste dhe me ovacione të gjata nga të 12 mijë vetët e pranishëm në ceremoni.

Policia arrestoi të paktën 22 demonstrues që protestuan kundër fjalimit të zotit Obama si dhe kundër vendimit të universitetit për t’i dhënë atij një titull nderi.

BROHORITJE DHE PROTESTA NË KOMPLEKSIN UNIVERSITAR

Ndërkohë që disa qindra protestues kundër abortit ishin mbledhur para hyrjes kryesore të Universitetit Notrë Damë, presidenti Obama u mirëprit brenda kompleksit universitar me duartrokitje të gjata dhe oavacione. Fjalimi i tij u ndërpre disa herë nga protestuesit, megjithëse shumica e studentëve që diplomoheshin u përpoqën t’i mbysnin zërat e tyre me brohoritje në favor të zotit Obama.

Presidenti e filloi fjalimin e tij duke pranuar se pjesmarrja e tij në këtë ceremoni është bërë shkak për debate të ashpra:

“Dua t’ju falenderoj për titullin e nderit. E di se ky titull nuk ka ardhur pa polemika. Tituj të tillë me sa duket është e vështirë t’i marrësh.”


Pak ditë më parë Presidenti mbajti një fjalim të ngjashëm në Universitetin e Arizonës, i pari që ai mbante në një ceremoni diplomimi si president. Por Universiteti i Arizonës vendosi të mos i japë atij titull nderi duke thënë se puna e tij si president ende nuk ka përfunduar.

Dje, në Universitetin Notrë Damë, presidenti foli për çështjen e abortit, e cila e ka shoqëruar gjatë gjithë këtyre ditëve që i paraprinë vizitës. Aborti është një temë që i ka ndarë dhe polarizuar së tepërmi amerikanët dhe zoti Obama u bëri thirrje njerëzve në të dyja anët e debatit, të jenë të hapur në mendime dhe të ndalin akuzat e ndërsjella.

“Ndoshta ne nuk do të jemi dakord për çështjen e abortit, por ne mund të pajtohemi në një pikë, se ky vendim i vështirë për çdo grua nuk merret rastësisht por ka dimensione morale dhe shpirtërore.”


Presidenti u përqendrua në ato gjëra për të cilat të dyja palët mund të bien dakord.

“Le të punojmë së bashku për uljen e numrit të grave që dëshirojnë të abortojnë. Le të ulim numrin e shtatzanive të padëshiruara. Le ta bëjmë birësimin e fëmijëve më të lehtë. Le të ofrojmë kujdes dhe përkrahje për gratë të cilat vendosin ta mbajnë fëmijën deri në lindje.”

Gjatë fjalimit presidenti la të kuptohet se është i gatshëm të lëshojë pe në betejën e tanishme politike rreth abortit, duke bërë thirrje që, në çdo ligj të ri për lirinë e zgjedhjes te gratë të ketë një klauzolë në mënyrë që mjekët dhe infermieret që janë kundër abortit të mos detyrohen të kryejnë aborte kundër dëshirës së tyre.

Në një pjesë tjetër të kompleksit universitar, studentët kundër abortit mbajtën një lutje të heshtur që pritej të vazhdonte tërë natën.

Autoritetet e universitetit zbatuan rregullin duke mos lejuar protestuesit që nuk ishin studentë të hynin në kompleksin universitar. Aktivisti politik konservator, Alan Keyes, shpjegoi se përse, sipas tij, shumë katolikë dhe të krishterë të tjerë ishin aq të zemëruar me vendimin e universitetit Notrë Damë për ta ftuar dhe nderuar zotin Obama.

“Barak Obama është thellësisht i angazhuar ndaj asaj që papa Gjon Pali e quante kulturë të vdekjes dhe vrasje të fëmijëve të pafajshëm,”
tha ai.

Çështja e abortit pritet të mbetet në qendër të debateve tani që presidenti Obama do të emërojë një anëtar të ri në Gjykatën e Lartë amerikane pas daljes në pension të gjykatësit David Suter këtë verë. Në një vendim të vitit 1973, Gjykata e Lartë shpalli se shtetet e veçanta në Amerikë nuk duhet ta ndalojnë abortin. Por ky vendim nuk i dha fund betejës politike rreth kësaj çështjeje. //ii


XS
SM
MD
LG