Lidhje

Kryeministri britanik Braun dhe e ardhmja e tij politike e pasigurt


Pasi u përshëndet me entuziasëm nga komuniteti ndërkombëtar gjashtë muaj më parë për propozimet e tij për të dalë nga spiralja e recesionit ekonomik, e ardhmja politike e Kryeministrit të Britanisë së Madhe, Gordon Brown, nuk duket aspak premtuese. Pas një recesioni të thellë dhe një seri skandalesh, anketat tregojnë se Partia Laburiste ka rënë në nivelin më të ulët në 60 vjet për sa i përket popullaritetit të saj.

Kanë kaluar rreth dy vjet që kur Gordon Brown mori pushtetin nga Tony Blair. Veç problemeve që trashëgoi nga qeveria e mëparshme, atij i është dashur të përballet edhe me shumë të tjera.

Me përjashtim të thirrjes së tij nëntorin e kaluar për reformimin e sistemit bankar dhe gjashtë javë më parë me organizmin e takimit të nivelit të lartë të G-20, rezultatet e anketave për të nuk kanë qënë kurrë më të ulta. Në javët që pasuan këtë takim dhe me recesionin në vazhdim, si dhe me një seri skandalesh, autoriteti i tij është tronditur ndjeshëm. Më i fundit ka të bëjë me abuzimin e sistemit financiar nga politikanët, gjë që i ka irrituar së tepërmi britanikët në këto kohë të vështira për ekonominë.

Në Dhomën e Komuneve këtë javë, Gordon Brown e pranoi këtë gjendje.

"Ne duhet ta provojmë veten se e meritojmë besimin e publikut. Ne duhet të kërkojmë të falur për gabimet që janë bërë. Ne duhet të koregjojmë të gjitha gabimet qëkanë ndodhur dhe të riorganizojmë sistemin në një mënyrë që publiku ta shikojë dhe t’i kthehet besimi në procesin politik”.

Udhëheqësi i Partisë Konservatore, David Cameron, u shpreh edhe më fuqishëm në përgjigje të opinionit popullor.

"A nuk ka ardhur koha të zgjohemi dhe të shikojmë se çfarë po ndodh në vend? A nuk ka ardhur koha ta shikojmë vetveten ashtu siç na shikon gjithë vendi? A nuk ka ardhur koha të ndërpresim diskutimet e stërzgjatura dhe të tregojmë rol udhëhqës për të bërë ndryshimet e nevojshme? Si mund të sjellim ndryshimet për të cilat ka nevojë vendi, në qoftë se nuk ndryshojmë vetë?"

Pasi ka shtënë në dorë të dhëna për shpenzimet e parlamentarëve britanike, Daily Telegraph ka botuar çdo ditë artikuj eksluzivë gjatë javës së fundit. Ndihmës redaktori i kësaj gazete, Andrew Pierce thotë se megjithëse imazhi i politikanëve britanikë në përgjithësi është dëmtuar, Partia Laburiste e zotit Brown është goditur më rëndë.

"Gjithmonë është qeveria që kritikohet më shumë, pasi ka një numër më të madh anëtarësh në parlament se sa opozita konservatore dhe liberal-demokrate. Për më tepër disa nga individët e përfshirë në skandale janë në fakt ministra të kabinetit”.

Një sërë çështjesh, përfshirë edhe kufizimin e lirive civile në Britaninë e Madhe e kanë vënë qeverinë e Kryeministrit Brawn në opozitë me publikun. Siç shprehet zoti Pierce, shumë votuesve, durimi u ka marrë fund.

"Të them të drejtën, njerëzit janë ngopur me ta. Argumenti se ka ardhur koha për ndryshime është bërë shumë i fuqishëm. Recesioni do të thellohet edhe më tej. Papunësia nga 2 milion mund të shkojë në 3 milion deri në zgjedhjet e përgjithëshme dhe ata që kanë mbetur pa punë nuk duan t’ia dinë për organizimin me sukses të takimit të G-20 nga Gordon Browni. Ata do ta fajësojnë atë dhe qeverinë për humbjen e punës”.

Së shpejti do të mbahen zgjedhjet evropiane dhe lokale në gjithë Britaninë e Madhe. Nëse parashikimet janë të sakta, Partia Laburiste nuk do të dalë aspk mirë dhe zotit Brown do t’i duhet të bëjë ndryshme radikale në kabinet. Por pak njerëz besojnë se masat që ai do të marrë do të jenë të mjaftueshme për të ndihmuar të ardhmen e tij politike. //ii

XS
SM
MD
LG