Lidhje

Krajsler dhe GM mbyllin rreth 2000 pikëshitje makinash


Lajmet shkurajuese nga industria e makinave këtu në Shtetet e Bashkuara, vazhdojnë. General Motors, prodhuesi më i madh amerikan i makinave thotë se nuk do t’i ripërtërijë marrëveshjet me nëndegët e saj duke mbyllur kështu mbi 100 pika shitjeje në të gjithë vendin. Ky lajm vjen një ditë pasi rivali më i vogël i GM-it, Chrysler, njoftoi se do të mbyllte rrreth 800 pika shitjeje muajin e ardhshëm.

Kjo është një ditë që Stenli Balzekas nuk mendonte se do të vinte ndonjëherë: mbyllja e kompanisë së tij, një nga pikëshitjet më të vjetra të Krajslerit në Çikago.

“Ata nuk duan që ne të vazhdojmë të jemi pikë shitjeje e Krajslerit. E kam të vështirë të pranoj se ka ardhur koha.”

Lajmi erdhi përmes postës në një letër të shkruar me gjuhë zyrtare, që e bëri vajzën e zotit Balzeka të ndihej shumë e zhgënjyer.

“Është turp t’ia dërgosh këtë lloj letre dikujt që ka qenë në këtë biznes për 90 vjet.”

Por kjo pikë shitjeje është vetëm një nga viktimat e industrisë së makinave. Të enjten, Krajsleri njoftoi rreth 800 prej 3 mijë e 200 pikave të tij të shitjes se do të mbylleshin deri më 9 qershor.

Të premten, një mijë e 100 pika shitjesh të General Motors morën njoftime të ngjashme.

Pol Tejlor nga Shoqata Kombëtare e Shitësve të Makinave thotë se mbylljet e këtyre nëndegëve nuk janë të papritura.

“Krajsleri dhe GM-i kanë humbur një pjesë të madhe të tregut gjatë dekadave të fundit.”

“Ndjehem në pozitë të keqe.”

Xhek Ficxherald është pronar i disa pikave të shitjes së Krajslerit dhe GM-it në Merilend. Ai nuk ka hequr kurrë një punëtor nga puna. Por kjo gjë mund të ndryshojë së shpejti.

“Kjo nuk është e nevojshme sepse nuk do t’i kursejë gjë Detroidit.”

Por eksperti i industrisë Xhon Kasesa thotë se shkurtimet do të ndihmojnë në uljen e konkurencës mes shitësve për blerësit e makinave.

“Është më mirë të kesh më pak pika shitjesh me fitime më të mëdha sesa mijëra pika të vogla që fitojnë më pak.”

Shkurtimet do të prekin rreth 25 përqind të të gjithë pikave të shitjeve të Krajslerit dhe GM-it në të gjithë Shtetet e Bashkuara.

Ekspertët e industrisë paralajmërojnë se nuk do të jetë e habitshme nëse çmimet e makinave rriten. //bsa//

XS
SM
MD
LG