Lidhje

Ish-kreu socialist Nano rishfaqet në publik, sulmon Ramën


Në Shqipëri ish-udhëheqësi historik i Partisë Socialiste Fatos Nano u rishfaq mbrëmë pas një mungese të gjatë në skenën politike dhe publike duke sulmuar me një gjuhë të ashpër kryetarin aktual të Partisë Socialiste Edi Rama.

I ftuar në emisionin “Opinion” në televizionin Klan zoti Nano deklaroi se sipas tij Partia Socialiste dhe opozita e majtë në gjendjen e përçarë në të cilën ndodhet rrezikon të humbasë zgjedhjet, duke kërcënuar se në një rast të tillë të nesërmen e ditës së zgjedhjeve ai do të ndërmerrte një lëvizje për reformimin e partisë socialiste dhe bashkimin e së majtës.

“Unë nuk besoj se opozita e sotme është në gjendje të konkurrojë apo të fitojë jo më debate të pjesshme, por ballafaqimin electoral të fundmuajit të ardhshëm. Modeli i Bashkisë së Edi Ramës të cilin ai pretendon ta shtrijë në gjithë Shqipërinë, së pari nuk është model i socialistëve. Dhe unë jam i bindur që modeli i Bashkisë së Tiranës është i pafrytshëm për të qeverisur Shqipërinë. Unë afirmoj nevojën e një transormimi pozitiv që nis nga e para të së majtës shqiptare, të Partisë Socialiste dhe të forcave të tjera opozitare dhe në rast se kjo gjendje siç duken gjasat nuk do t’i çojë dot në një maxhorancë qeverisëse, kjo mbetet një detyrë që fillon më datën 29 qershor”.

Zoti Nano sulmoi kryetarin socialist për veprime okulte të ndikuara nga interesa korruptive, duke kritikuar përzgjehdjen edhe të listave të kandidatëve.

“Partia e sotme socialiste jo vetëm u grabit apo u ble nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, por edhe u deformua, u degradua, u përçudnua, iu fshi memorja dhe arkivi i eksperiencës politike dhe qeverisëse. Tashmë edhe po transformohet nga pikëpamja e përfaqësuesve me njerëz pa identitet dhe që nuk kanë asnjë rekord publik në politike apo në administrimin publik të shtetit dhe qeverisjes”.

Zoti Nano i cili u la jashtë listës së kandidatëve për deputet të Partisë Socialiste tha se edhe sikur të ishte ftuar ai do ta refuzonte ftesën. Në deklarimin e gjatë të zotit Nano ra megjithatë në sy tone tejet të buta të përdoruar prej tij ndaj kundërshtarit natyral politik të tij kryeministrin Sali Berisha.//kk//

XS
SM
MD
LG