Lidhje

Viktima civile nga sulmi i Natos në Afganistan



Aleanca e Natos tha se një sulm ajror i kryer nga një avion i saj ka vrarë tetë civilë në Afganistanin jugor ndërsa vazhdojnë debatet rreth viktimave civile në vend.

Forcat ushtarake ndërkombëtare të drejtuara nga Natoja thanë sot se trupat e saj kërkuan një sulm ajror dje në provincën e Helmandit pas një beteje me gati 25 kryengritës. Në një deklaratë të Natos akuzohen militatët që përdorin civilët si mburoja njerëzore.

Vdekjet e civilëve ndodhin ndërkohë që është ndezur debati mbi numrin e viktimave nga sulme të ngjashme ajrore të kryera nga forcat amerikane në perëndim të Afganistanit dy javë më parë.

Ushtria amerikane tha sot se hetuesit e saj kanë arritur në përfundimin se 20 deri në 30 civilë dhe gati 60 kryengritës u vranë në sulmet ajrore dhe në luftime në provincën Farah më 4 dhe 5 maj, një incident që ngjalli protesta të fuqishme.

Qeveria afgane tha më parë se 140 civilë u vranë në sulme ajrore në distriktin Bala Bulak.

XS
SM
MD
LG