Lidhje

Në Shqipëri rritet shqetësimi rreth kartave të identitetit


Në Shqipëri, prodhimi dhe shpërndarja e kartave të identitetit është në garë me kohën. Ajo që duhet të ishte përgatitja rutinore e një letërnjoftimi elektronik në një ditë të zakonshme, ku qytetarët paraqesin të dhënat personale, tani ndiqet nga të gjithë minutë pas minute.

Ministria e Brendshme publikoi të dhëna të reja mbi gjendjen e kartave të identitetit. Sipas njoftimeve të fundit, kanë aplikuar për karta 1 milionë e 17 mijë qytetarë.

Ministria e brendshme u bëri thirrje njerëzve të vazhdojnë me aplikimet, por njëkohësisht u kërkoi 300 mijë qytetarëve të tjerë që të tërheqin kartat e identitetit që tashmë janë gati. Statistikat tregojnë se deri tani janë prodhuar 830 mijë karta të reja. Nga këto janë tërhequr 490 mijë, por 300 mijë të tjera kanë mbetur në zyrat e gjendjes civile, sepse qytetarët nuk shkojë t’i marrin.

Ngutja e këtij procesi bëhet gjithnjë e më madhe sa më shumë afrohet hapja e fushatës zgjedhore, dhe data e zgjedhjeve. Identifikimi i votuesve është një nga kërkesat kryesore të bashkësisë ndërkombëtare dhe i palëve konkurruese në zgjedhjet e radhës.

Në qendër të vëmendjes janë mijëra qytetarë që kanë mbetur pa pasaporta elektronike dhe ende paraqesin letërnjoftime jashtë përdorimit të prodhuara që nga koha e diktaturës komuniste.

Qysh nga ndryshimi i sistemit politik në Shqipëri në fillim të viteve 90, kjo është e para herë që qytetarët shqiptarë marrin një kartë elektronike dhe një numër personal identifikimi. Nxitur nga nevoja për zgjedhje të rregullta, liberalizim të regjimit të vizave me botën, antarësimi në NATO dhe integrimin në BE, administrata shqiptare ju fut punës për të pajisur të gjithë qytetarët me karta identiteti.

Falsfikimi i certifikatave, gabimet dhe manipulimet me listat e votuesve janë akuzat më të zakonshme të palëve humbëse në të gjitha zgjedhjet e mëparshme.

Shqipëria ka në plan të mbajë më 28 qershor zgjedhjet për parlamentin e ri dhe, sikur të mos mjaftonin telashet e tjera, vëzhguesit duhet të ndjekin tani edhe se sa karta do të arrihet të prodhohen deri atë ditë. OSBE-ja ka kërkuar që qytetarët të pajisen me karta sa më parë, në një kohë qartësisht të largët nga data e zgjedhjeve, por tani afatet kanë shkuar në minimum. //ii

XS
SM
MD
LG