Lidhje

Përplasjet politike në Ukrainë, në dëm të ekonomisë së vendit


Gjykata Kushtetuese e Ukrainës ka shtyrë datën e zgjedhjeve presidenciale nga tetori në janar, një masë që i jep më shumë kohë Presidentit Viktor Jushçenko, i cili pritet të ndeshet me rivalë të fortë në garën për t'u rizgjedhur. Vendimi pason miratimin me shumicë dërrmuese në Parlament të datës 25 tetor për zgjedhjet, 2 muaj para skadimit të mandatit të zotit Jushçenko. Ndërkohë që popullariteti i tij ka rënë, konfliktet politike mes presidentit, kryeministres dhe parlamentit nuk e kanë ndihmuar ekonominë e vendit, që po vuan pasojat e recesionit. Ekspertët paralajmërojnë se përplasjet politike dhe problemet ekonomike po kërcënojnë stabilitetin e Ukrainës në të ardhmen:

Në Kiev duket sikur ekonomia e vendit është në gjendje të mirë. Rrugët janë të mbushura me blerës dhe shitësit ambulantë vazhdojnë aktivitetin. Por drejtori i menaxhimit të kompanisë Dragon Investment, Dmitro Tarabanik, thotë se kjo është një pamje mashtruese:

"Ukraina është në buzë të greminës, s'ka diskutim. Por kemi vërejtur një numër zhvillimesh që na kanë ndihmuar të ruajmë një farë stabiliteti."

Ndër këto zhvillime është njoftimi i muajit të kaluar nga Fondi Monetar Ndërkombëtar se do të lëvrojë këstin e dytë prej 16.4 miliardë dollarësh të huasë për Ukrainën. Megjithatë, analistët paralajmërojnë se nuk bëhet fjalë ende për një ekonomi të qëndrueshme.

Ivan Lozovi kryeson Institutin për Shtet dhe Demokraci në Kiev:

"Kriza mund të thellohet shumë më tepër para se të ketë përmirësime dhe ka mundësi që deri në vjeshtë të shohim demonstrata të mëdha, arrestime në masë. Shanset janë mbi 50 për qind".

Vëzhguesit thonë se fërkimet politike janë kërcënimi më i madh për stabilitetin. Ata thonë se përplasjet mes zotit Jushçenko dhe Kryeministres Julia Timoshenko e kanë paralizuar procesin politik dhe ka gjasa të ndihmojnë rivalët e tyre politikë, në veçanti Viktor Janukoviçin, udhëheqësi i Partisë opozitare të Rajoneve, i cili ka shpallur kandidimin e tij për president dhe tani kryeson në anketat e opinionit publik.

Një ndër arsyet për këtë popullaritet është se ukrainasit kanë humbur besimin tek udhëheqësit aktualë, siç shpjegon Leonid Kozhara, deputet i Partisë së Rajoneve.

"Për fat të keq në këtë vend qeveria dhe presidenti nuk mund të bashkojnë forcat dhe të përqendrohen thjesht në problemet ekonomike. Gjithë ditën flasin për politikë, që do të thotë se po shpaloset një skandal i pandërprerë politik që e transmetojnë radioja dhe televizioni. Populli i Ukrainës e ka kuptuar se nuk mund të jetohet më kështu."

Një tjetër konkurent në zgjedhjet presidenciale është ish-kryetari i parlamentit dhe ish-ministër i Jashtëm dhe i Ekonomisë, 34-vjeçari Arseni Jacenuk. Analistët thonë se ai përfaqëson një forcë të moderuar ndërmjet kampit pro-rus të Viktor Janukoviçit dhe pro-perëndimorit Viktor Jushçenko. Në anketat e fundit ai rezulton në vend të tretë dhe thotë se është optimist për të ardhmen ekonomike:

"Pa diskutim që po përjetojmë kushte disi dramatike me këtë krizë globale, e cila na ka prekur rëndë, jo vetëm ne në Ukrainë, por të gjithë Evropën Lindore. Por nuk është hera e parë që Ukraina ndeshet me krizë. Ne do ta kapërcejmë këtë problem, do ta trajtojmë si një sfidë dhe si një mundësi tjetër për të zhvilluar vendin."

Fqinji i fuqishëm i Ukrainës, Rusia, e cila tradicionalisht e konsideron Ukrainën si pjesë të sferës së saj të influencës, po e ndjek me vëmendje situatën.

Që nga viti 2005, Gazpromi rus ka rritur ndjeshëm çmimin e gazit për Ukrainën, gjë që ka rezultuar në deficit tregtar për këtë vend. Në janar, Rusia ndërpreu për tre javë furnizimet me gaz për Ukrainën, pas një mosmarrëveshjeje për çmimin.

Oleg Ribaçuk ka qenë këshilltar i zotit Viktor Jushçenko:

"Ata e dobësojnë vendin me përçarje, duke ushqyer grupe të ndryshme influence, duke e përdorur hapur furnizimin me energji si një vegël të politikës ndërkombëtare, duke shfrytëzuar dallimet fetare, kulturore etj. Ndeshemi me kaq shumë probleme, që janë të hartuara që më parë, të planifikuara më së miri, ndryshe nga realiteti në Ukrainë. Pra rusët i shfrytëzojnë në maksimum dobësitë e Ukrainës për të forcuar vendin e tyre".

Megjithëse Rusia mund të ketë një farë ndikimi në makinacionet politike në prag të zgjedhjeve, çështje esenciale është tani se si Ukraina, me 46 milionë banorë, do t'i përgjigjet krizës ekonomike. Dhe siç shprehen shumë analistë, kjo çështje nuk do të vendoset në zgjedhje, por nga vullneti i udhëheqësve ukrainas për të lënë mënjanë dallimet mes tyre dhe për të vënë në jetë reforma të rëndësishme ekonomike. //ad//

XS
SM
MD
LG