Lidhje

Fratini: Italia mund të marrë dy tunizianë nga baza Guantanamo


Ministri i jashtëm i Italisë tha se vendi i tij po shqyrton një kërkesë të Shteteve të Bashkuara për të marrë dy tunizianë nga burgu ushtarak amerikan në Gjirin Guantanamo të Kubës.

Agjencitë italiane të lajmeve citojnë ministrin Franko Fratini, sipas të cilit kërkesa duhet shqyrtuar në “frymë pozitive”. Ai tha se pret ta diskutojë çështjen javën e ardhshme kur Prokurori i Përgjithshëm i Shteteve të Bashkuara Erik Holder të vizitojë Romën.

Agjencitë italiane të lajmeve thonë se ndaj dy tunizianëve janë kryer hetime në Itali nën akuzat se i kishin dhënë ndihmë logjistike terroristëve.

Presidenti Barak Obama ka thënë se synon ta mbyllë burgun Guantanamo, i cili ndodhet në një bazë të marinës amerikane në një pjesë të Kubës që kontrollohet nga Shtetet e Bashkuara.

Zoti Obama thotë se disa nga të burgosurit do të transferohen në burgjet amerikane dhe do të gjykohen nga gjykatat civile amerikane, të tjerë do të dalin para komisioneve ushtarake ndërsa një pjesë tjetër do të transferohet në vende të tjera.

Trajtimi i të burgosurve në Guantanamo është kritikuar ashpër në Europë dhe në pjesë të tjera të botës.

Në Shtetet e Bashkuara, shumë politikanë kanë shprehur shqetësime për çështjen se ç’duhet bërë me të burgosurit si dhe për praninë e tyre të mundëshme në Shtetet e Bashkuara.

Ish Nënpresidenti amerikan, Dik Çejni tha këtë javë se vendimi i zotit Obama për mbylljen e Guartanamos është i rrezikshëm dhe, sipas tij, u mor “pa u peshuar thellë dhe pa një plan”.

XS
SM
MD
LG