Lidhje

SHBA:Në Jutah nxiten debatet për eksplorimet minerale dhe ambjentin


Në fund të vitit të kaluar, zyra në Jutah e Byrosë së qeverisë federale për Menaxhimin e Tokës organizoi ankandin e fundit për vitin 2008 të tokës që jepet për eksplorime nafte dhe gazi. Por seanca ngjalli reagime mes ambjentalistëve. Tokat që do jepeshin me qera në ankand përfshinin mijëra hektarë pranë disa prej parqeve më delikate kombëtare në Shtetet e Bashkuara. Administrata e presidentit Obama i anulloi qeratë. Megjithatë, instalime nafte dhe gazi ekzistojnë tashmë në Grykën Nëntë Miljesh, ku ndodhen disa prona publike dhe private pranë zonës së debatueshme që do jepej me qera.


Ky ankand zhvillohet në Salt Lake City, në zyrën e Jutas së Byrosë për Menaxhimin e Tokës, e cila ofron tokë federale për eksplorime nafte dhe gazi. Për vite me radhë, kjo procedurë ka qenë pjesë e biznesit të zakonshëm.

Por dhjetorin e kaluar, qeratë për mijëra hektarë tokë që mund të jenë të pasura me naftë dhe gaz, u nxorën në ankand pavarësisht nga ankesat gjyqësore dhe protestat e ambjentalistëve. Ata thonin se parcelat shiheshin nga parqet dhe sinoret kombëtare.

Studenti në Universitetin e Jutas, Tim DeKristofer mori pjesë në protestë bashkë me të tjerët. Por atij i ndryshoi mendja dhe vendosi të jepte ofertën e tij në ankand.

"Unë ofrova rreth 1,8 milion dollarë dhe fitova. Kam bërë edhe oferta të tjera në ankande për t'ua rritur çmimin kompanive të naftës."- thotë ai

Vendimi i zotit DeKristofer ishte hap i menduar. Ai nuk kishte para dhe as synimin për të blerë. Ai thjesht donte të ndërlikonte procesin:

"Ndërsa isha i ulur në dhomën ku zhvillohej ankandi vendosa të veproj kështu. Po mendoja se nëse do ta bëja një gjë të tillë do të më çonin në burg për rreth 3 vjet, dhe vendosa se ia vlente të mbaja qëndrim dhe ta vuaja dënimin."

Me 4 shkurt, qeratë e 77 parcelave pranë Parkut Kombëtar Arks, Monumentit Kombëtar të Dinosaurit dhe Grykës Nëntë Miljesh u anulluan nga administrata e presidentit Obama.

Paratë iu rikthyen të zotëve dhe qeveria thotë se do t'i rishikojë parcelat dhe vlerësimet e bëra nga administrata e presidentit Bush. Procesi mund të marrë disa vjet.

Greg Shup mbikqyr sektorin e ekplorimit të naftës dhe gazit në Byronë e Menaxhimit të Tokës në Uashington. Ai thotë:

"Kjo është Gryka Nëntë Miljesh dhe zona që po shqyrtojmë është këtu, e cila deri tani ka qenë e paprekur. Sejcili nga këto katrorë portokalli tregon vendin e propozuar për hapjen e një pusi të ri. Tani aty nuk ka asgjë."

Stiv Blok është drejtor i zyrës së Jutas për grupin ambjentalist Aleanca për Mbrojtjen e Kafshëve dhe Bimëve të Egra.

Ai thotë se rezervat e naftës dhe gazit që mendohet se përmban ajo zonë janë të pakonsiderueshme. E megjithatë, shton ai, qeveria ishte gati të sakrifikonte disa nga pamjet më madhështore të parqeve të saja kombëtare.

"Nuk diskutohet që tokat në fjalë janë jashtë parqeve kombëtare, por në disa raste ato janë menjëherë pas gardheve rrethuese. Dhe aty mund ta ndjesh erën e industrisë së naftës dhe gazit nëse puna do zhvillohet fare pranë parqeve kombëtare."

Louell Brekston është përfaqësuesi i Jutas për Shoqatën e Pavarur të Naftës për Shtetet Malore.

"Ne nuk do ta prekim parkun. Shpimet mund të vazhdojnë një muaj dhe nëse kanë sukses atëherë sipërfaqja vendit të punimeve do të duket njëlloj me ngjyrën e pjesës tjetër të parkut." - thotë ai

Gryka Nëntë Miljesh me shkëmbinjtë e saj antikë është në listën e një prej vendeve të rrezikuara të Bordit Kombëtar për Ruajtjen e Monumenteve Historike.

Arkeologia Pam Miler është presidente e Koalicionit të Grykës Nëntë Miljesh. Ajo thotë se industria e naftës dhe gazit duhet të mësojë të respektojë vendet e veçanta.

"Ata thonë se vendi i shfrytëzuar do të jetë i vogël, po nuk përmendin pusin, linjat energjitike, tubacionet që shkojnë deri tek pusi, rrugën etj. Pastaj vendi i shfrytëzuar nuk është më aq i vogël."

Ekuilibri mes eksplorimit për minerale dhe ruajtjes së ambjentit është i vështirë për t'u arritur, dhe të dy palët e kuptojnë këtë. Tani për tani, parcelat e Jutas mbeten të paprekura deri në rivlerësimin e qeverisë.

Rasti i Tim DeKristofer mbetet i pazgjidhur gjithashtu. Qeveria e ka akuzuar atë me vepra penale për të cilat ai mund të dënohet deri me 10 vjet burg. Ndërsa prokurori me sa duket ka shprehur interes në një marrëveshje me palën mbrojtëse, zoti DeKristofer thotë se ai do të dalë në gjyq për ta shpjeguar vetë çështjen e tij në mbrojtje të ambjentit. //mm//


XS
SM
MD
LG