Lidhje

SHBA-Itali: Bashkëpunim për teknologjinë e qymyrit të pastër


Shtetet e Bashkuara dhe Italia nënshkruan një marrëveshje bashkëpunimi për teknologjinë e qymyrit të pastër. Marrëveshja, e nënshkruar gjatë një takimi mes dy vendeve për energjinë, vjen në prag të samitit të ministrave të energjisë të G8-s në Romë. Sekretari amerikan i Energjisë, Steven Chu tha se Uashingtoni synon të rigjallërojë industrinë e energjisë bërthamore pas thuajse 4 dekadash stanjacioni.

Marrëveshja për teknologjinë e qymyrit të pastër dhe depozitimin e dioksidit të karbonit, ose kapjen e karbonit, siç quhet ndryshe, është e para që Shtetet e Bashkuara nënshkruajnë me një vend tjetër. Sekretari amerikan i Energjisë, Steven Chu tha se problemi i kapjes së karbonit ende mbetet i pazgjidhur.

Homologu i tij italian, ministri për Zhvillimin Ekonomik, Claudio Scajola tha se synimi i marrëveshjes është shkëmbimi i njohurive, koordinimi i projekteve të përbashkëta, zhvillimi i teknologjive të reja dhe identifikimi i vendeve për depozitimin e dioksidit të karbonit.

Takimi dypalësh amerikano-italian zhvillohet vetëm një ditë para hapjes në Romë të samitit të minstrave të energjisë së G8-s.

“Ky është takimi kryesor për energjinë në vitin 2009, pasi marrin pjesë vende që konsumojnë dhe prodhojnë 80% të të gjithë energjisë në botë,” tha ministri italian Claudio Scajola.

Tema e takimit është: Përtej krizës, drejt një roli të ri udhëheqës botëror në fushën e energjisë.

"Italia po zhvillon tani një politikë të re energjitike dhe objektivi i saj është pakësimi i varësisë nga karburantet, rritja e prodhimit të energjisë së ripërtëritëshme dhe rifillimi i prodhimit të energjisë bërthamore," tha zoti Scajola.

Sekretari amerikan i Energjisë, Steven Chu tha se Shtetet e Bashkuara prodhojnë 20 përqind të energjisë elektrike me anë të centraleve bërthamore por centrali i fundit bërthamor është ndërtuar në mbarim të viteve 1970 pra ka kaluar një periudhë e gjatë së cilës Shtetet e Bashkuara nuk kanë filluar ndërtimin e uzinave të reja bërthamore.

"Ne synojmë ta rigjallërojmë këtë industri duke krijuar reaktorë më të sigurt dhe më ekonomikë. Ne presim me padurim të punojmë me Italinë dhe me vende të tjera për rifillimin e kësaj industrie."

Në takimin dyditësh do të marrin pjesë vendet e G8-s: Kanadaja, Franca, Gjermania, Italia, Japonia, Rusia, Britania dhe Shtetet e Bashkuara si dhe vende të tjera që përfaqësojnë ekonomi në zhvillim si Brazili, Kina, Egjipti, India, Arabia Saudite dhe Afrika e Jugut. Marrin pjesë gjithashtu 8 organizata ndërkombëtare dhe 20 kompanitë më të mëdha të energjisë në botë. //ii

XS
SM
MD
LG