Lidhje

Bien të ardhurat e emigrantëve për familjet e tyre


Imigrantët dhe punëtorët migrantë nëpër botë dërgojnë para në vendlindjet e tyre për të ndihmuar familjet. Për shumë vende, këto para që vijnë nga jashtë, përbëjnë një burim të rëndësishëm të ardhurash. Por studime të kryera kohët e fundit flasin për një rënie të këtyre fondeve, që do të shkaktojnë probleme në shumë vende të pasura.

Daisy Benitez erdhi në Shtetet e Bashkuara nga Salvadori para 10 vjetësh. Tani ajo është martuar, ka dy fëmijë dhe punon si pastruese shtëpish në shtetin e Virxhinias. Megjithatë, ajo ende u dërgon para prindërve çdo muaj në Salvador.
“Në të kaluarën dërgoja 200 dollarë, ndërsa tani dërgoj 150 ose 125 dollarë për shkak të gjendjes së rëndë ekonomike”. - thotë ajo


Zonja Benitez thotë se prindërit e saj janë fermerë, por kur ka thatësirë të ardhurat e tyre bien ndjeshëm.
Mikesha e saj, Elsa Maria Gonzalez jeton po në Shtetet e Bashkuara, por pa dokumenta ligjore. Më parë ajo dërgonte rreth 250 dollarë në muaj për fëmijët e saj në Salvador. Por tani ajo thotë se mezi mund të dërgojë vetëm gjysmën e kësaj shume.
“Nuk ka punë sepse për ne që nuk kemi dokumentat ligjore, është shumë e vështirë të gjejmë punë”. - thotë ajo


Daisy dhe Elsa nuk përbëjnë raste të veçanta. Banka Botërore llogarit se rreth gjysma e parave të dërguara nga Shtetet e Bashkuara në Meksikë vijnë nga imigrantë pa dokumenta.
Sipas Bankës Botërore, paratë e dërguara në vendet në zhvillim pritet të bien këtë vit me 5 deri 8 për qind.
Paratë e dërguara nga imigrantët në vendlindjet e tyre janë një burim i rëndësishëm të ardhurash për shumë njerëz në vendet në zhvillim dhe një rënie e tyre do të shkaktonte vështirësi të shumta.


Dilip Ratha, krye-ekonomist në Bankën Botërore në Uashington menaxhon informacionin rreth migracionit dhe parave të dërguara në vendlindje. Ai thotë:
“Paratë e dërguara nga imigrantët në vendet në zhvillim u rritën rreth 15 deri në 30 për qind gjatë 5 vjetëve të fundit, por fatkeqësisht si pasojë e krizës ekonomike, ne parashikojmë një rënie të vogël prej 5 për qind e ndoshta deri në 8 për qind”.


Banka Botërore thotë se vitin e kaluar paratë e dërguara nga imigrantët në vendet në zhvillim e kaluan shumën prej 300 miliardë dollarësh. Por në realitet, kjo shumë ishte shumë më e madhe sepse shpesh paratë dërgohen në forma jo zyrtare.

“Vendi me shumat më të mëdha të parave të dërguara nga jashtë është India, e cila llogaritet të ketë marrë 45 miliardë dollarë vitin e kaluar krahasuar me Meksikën, që mori 26 miliardë dollarë, vendi i tretë për sa i përket parave të marra nga emigrantët. Kina zë vendin e dytë në botë” - thotë zoti Ratha


Një studim tjetër mbi paratë e dërguara nga Shtetet e Bashkuara në Amerikën Qëndrore dhe Jugore parashikon një rënie prej 7 për qind këtë vit, dhe kjo për shkak të shtimit të papunësisë dhe humbjes së të ardhurave nga migrantët.
Manuel Orozco i Institutit kërkimor Dialogu NdërAmerikan këtu në Uashington, kreu studimin.

“Flitet për rreth një milion familje që nuk do të marrin para nga jashtë gjatë vitit 2009 dhe 4 milion familje, që do të marrin 10 për qind më pak”. - thotë ai


Zoti Orozco thotë se shkurtimi me 7 për qind i parave të dërguara nga imigrantët në atë rajon përbën një humbje prej 4,5 miliardë dollarësh, duke i dhënë kështu një goditje ekonomive të Amerikës Latine.

XS
SM
MD
LG