Lidhje

Program për rehabilitimin e të burgosurve në Shtetet e Bashkuara


Shumë prej mbi 2 milion njerëzve në burgjet e Shteteve të Bashkuara përballen me një të ardhme të zymtë kur ata përfundojnë dënimin. Punëdhënësit shpesh ngurrojnë t’i marrin ata në punë dhe shumë njerëz në shoqëri u shmangen atyre. Por një ish konsulente investimesh, Kethrin Roar u ka dhënë disa të burgosurve në Teksas një mundësi të veçantë për të rindërtuar jetën e tyre nëpërmjet një programi trejnimi që ajo ofron në burg. Le të ndjekim më shumë hollësi rreth punës së kësaj gruaje të mrekullueshme.

Kethrin Roar u ka dhënë këtyre të burgosurve mundësinë që të fillojnë një jetë të re. Gjatë 5 vjetëve të fundit, 450 të burgosur kanë përfunduar programin sipërmarrës të të burgosurve. Kethrin Roar themeloi programin e trejnimit të financuar privatisht në një burg të Teksasit, sepse siç thotë ajo, këta të burgosur kishin nevojë thjeshtë për një mundësi.

“Kur erdha këtu pashë tek këta burra mundësi të mëdha. Pashë tek ta qënie njerzore dhe jo kafshë të egra të mbyllura në kafaz, siç kisha menduar para se të shkoja aty. Pashë burra, shumë prej të cilëve të penduar për atë që kishin bërë duke dëmtuar shoqërinë dhe që dëshironin një shans të dytë”.

Ajo ofron këtë shans të dytë nëpërmjet trejnimit të të burgosurve se si të kenë pronë një biznes dhe ta administrojnë atë. Ryan Holly, i dënuar për një krim të rëndë, thotë se përfundimi në burg dhe më pas pranimi në programin e trejnimit i shpëtuan atij jetën.

“Mendoj se ku do të isha sot nëse nuk do të kisha përfunduar në burg”.

Ryan thotë se si ish i dënuar ai mund ta kishte të vështirë të integrohej në shoqëri pas dënimit, por ai thotë se falë programit të trejnimit dhe vetë Kethrin Roar, ai është optimist se mund ta përballojë këtë sfidë.

“Në programin e trejnimit ne kemi mësuar si të hapin një biznes, si ta administrojmë atë dhe si të jemi këmbëngulës dhe të mos tërhiqemi”.

I burgosuri Huan Garza po kryen vitin e fundit të dënimit me 15 vjet për vrasjen e një shitësi rival të drogave. Ai ka në plan të hapë një biznes të ligjshëm sapo të dalë nga burgu, megjithëse ai thotë se kurrë nuk do të çlirohet nga faji që ai ndjen.

“Do të përpiqem t’ia lë fajin që ndjej të kaluarës time, por nuk do ta harroj atë, madje as që do të përpiqem ta harroj atë”.

Kethrin Roar thotë se ata të burgosur që drejtuan banda të trafikimit të drogës kanë tashmë një farë ideje se si funksionon një biznes.

“Çdo shitës drogash e kupton konceptin e biznesit prandaj mendova se nëse këta burra do të pajiseshin me mjetet dhe rrjetin e duhur për të administruar një biznes, ata mund të sillnin ndryshim të madh në shoqëri”.

Ajo thotë se synimi i saj përfundimtar nuk është që ata të bëhen biznesmenë të sukseshëm, megjithatë ajo shpreson për një gjë të tillë.

“Me të vërtetë shpresoj që ata të kontribuojnë në shoqëri, pasi kanë përfituar kaq shumë prej saj”.

Kethrin Roar thotë se disa prej financusve më bujarë të programit të saj janë ish pjesëtarë të tij, të cilët arritën të bëhen të sukseshëm jashtë burgut. Ajo shpreson që programin e trejnimit në Teksas ta shtrijë në gjithë vendin. //iç//

XS
SM
MD
LG