Lidhje

Punime arti të periudhës së Depresionit të Madh në Amerikë


Ndonëse recesioni i tanishëm ekonomik, nuk është aq i ashpër sa Depresioni i Madh i viteve 1930, shumë njerëz u kthehen atyre ditëve, ku qeveria ndërhyri në ekonominë e vendit, në mënyra të pahasura më parë. Presidenti Franklin Roosevelt prezantoi programe për të futur njerëzit në punë, kryesisht në ndërtim, infrastrukturë rrugore, ura dhe shkolla. Por dhe artistët ishin pjesë e programeve qeveritare, dhe disa prej krijimeve të tyre të asaj kohe, janë ekspozuar tani në Muzeuan e Artit Smithsonian në Uashington.

Kur viziton godinën e Zërit të Amerikës në Uashington, përpara të dalin pikturat murale të krijuara nga piktori i famshëm i shekullit të 20, Ben Shahn. Kjo, është një prej disa projekteve artistike të financuara nga qeveria amerikane gjatë Depresionit të Madh.

Piktura të tilla, në ekspozitën "1934: Një zgjidhje e re për artistët”, në muzeun e Artit Amerikan Smithsonian, ishin mes krijimeve të para që u financuan nga shteti. Ato u përzgjodhën nga kuratori i programit George Gurney dhe Ann Prentice Wagner.

“Kjo ishte pjesë e Administratës së Punonjësve Civilë, e cila i vendosi amerikanët që të punonin anembanë vendit. Ata vunë mënjanë 1 milion dollarë, për të punësuar rreth 3 mijë artistë”.

Artistët paraqisnin në veprat e tyre fushat, fabrikat, fshatrat dhe qytetet e mëdha. Ata pikturuan amerikanë të rinj e të moshuar, në punë e në kohë të lirë. Çuditërisht, shumë pak prej pikturave tregonin një komb në kulmin e kohërave të vështira.

“ Kur i vështron këto piktura, gjen në to shpirtin pozitiv. Ndoshta çereku i artistëve , ishin imigrantë, dhe imigrantët përgjithësisht janë njerëz që duan t’i paraqesin gjërat në mënyrë pozitive”.

Kjo pikturë e punonjësve që zhvendosin blloqet e akullit në një shtëpi biznesi në shtetin e Nju Jorkut, është krijuar nga Harry Gottlieb, i cili imigroi nga Rumania. Disa artistë vendosën që të pikturonin në stil abstrakt. Të tjerët pikturuan bazuar tek imagjinata e tyre.

“Shpesh herë ata përfaqësojnë largimin nga skena amerikane, e cila ishte tipike. Paul Mays pikturoi Jungle, që është më shumë si pjesë e xhunglës në filmin Tarzan, i cili u realizua në vitin 1932. Kjo ishte një prej veprave që u përzgjodh për t’u vendosur në Shtëpinë e Bardhë”.

Kështu është dhe vepra e artistit nga Los Angeles Millard Sheets. Pikturat e tjera u vendosën nëpër librari, shkolla dhe zyra qeveritare anembanë vendit. Teksa disa shtrojnë pyetjen nëse paratë e qeverisë duhet të përdoren për të blerë piktura, Wagner thotë se programi ishte i mbështeturt financiarisht:

“Pasi çdokush kishte artistë nga rajoni i tij, dhe arti paraqiste zonat nga ata vinin, ishte e qartë se i gjithë vendi do të përfitonte nga kjo nismë”. Ne kemi vepra arti nga Nju Hampshire në Kaliforni, nga nju Meksiko në Minesota. Ishte një përpjekje për të dhënë atë çka njerëzit shihnin rreth e rrotull në jetën e tyre, dhe në këtë kuptim, kjo ekspozitë ishte në një pamje më të madhe, një fragment i Amerikës në vitet 1934”.

Programi i cili nxori veprat në dritë, përfundoi mbas 6 muajsh, sepse buxheti mbaroi. Por ai, udhëhoqi drejt një programi më të madh, i cili financoi artistët në vite 1940, periudha në të cilën, u realizuan dhe pikturat murale të Zërit të Amerikës. //iç//

XS
SM
MD
LG