Lidhje

Afro 2 milionë të shpërngulur nga luftimet në Pakistan


Në Pakistan, ushtria thotë se ka rimarrë nën kontroll një pjesë të madhe të territorit në luginën Swat dhe përreth saj, duke shkatërruar bazat e terroristëve dhe duke vrarë qindra militantë talebanë.

Pakistani thotë se ka intensifikuar ofensivën për të larguar militantët talebanë nga lugina veriperëndimore Swat. Ushtria thotë se ka rimarrë territore të shumta, megjithatë ky njoftim nuk është vërtetuar nga burime të pavarura.

Numri i banorëve të luginës Swat të shpërngulur nga luftimet ka arritur në mbi 2 milion, duke krijuar një krizë humanitare, megjithë pretendimet e qeverisë se nuk ka pasur dëme tek popullsia civile. Të paktën 70 mijë banorë janë strehuar në kampin Jalozai i administruar nga Kombet e Bashkuara afër qytetit të Peshavarit.

Abdul Kajum është nga Mingora, qyteti më i madh në luginën Swat.

“Humba dy prej djemve të mi, Adnanin dhe Nomanin, gjatë evakuimit nga Mingora në luginën Swat. Nuk e di se ku janë”.

Në fshatrat e luginës dëmet nga luftimet duken qartë. Mohammad Ayaz humbi çdo gjë.

“Humba traktorin tim dhe çdo gjë në shtëpi. Nuk e di se kush do të paguajë për këto humbje”.

Ofensiva shikohet si një provë e rëndësishme për ushtrinë pakistaneze dhe gadishmërinë e saj për të shtypur kryengritësit talebanë. Deri tani, sipas njoftimeve të shtypit, opinioni publik duket se e mbështet ofensivën. Por disa analistë thonë se opinioni mund të ndryshojë shumë shpejt në se luftimet vazhdojnë dhe nëse kriza humanitare nuk zgjidhet si duhet.

Në Islamabad dhe në Karaçi ka pasur protesta kundër ofensivës. Muhammad Hussein Mehanti është anëtar i partisë politike islamike e quajtur Jamat-e-Islami.

“Ky operacion nuk është kundër kryengritësve talebanë, por kundër vendit. Ne kërkojmë që ofensiva të ndalet dhe, nëpërmjet bisedimeve, të gjendet zgjidhja”.

Disa ekspertë thonë se ushtria është mësuar me taktikat e luftës konvencionale me Indinë, dhe se nuk i është përshtatur dot luftës së kryengritësve. Kjo është arsyeja, thonë ata, që kaq shumë njerëz janë shpërngulur.

Pakistani i ndërtoi këto kampe për rreth 4 milion refugjatë afganë, të cilët ikën nga luftimet në shtetin fqinj, së pari nga pushtimi sovjetik dhe më pas, për shkak të talebanëve. Sot, pakistanezët janë shndëruar në refugjatë brënda vendit të tyre. //ad//

XS
SM
MD
LG