Lidhje

Shqipëri: Opozita kërkon sqarime për pajisjen me karta identiteti


Partia Socialiste e opozitës i kërkoi ministrisë së brendshme që të saktësojë më tej të dhënat për pajisjen e qytetarëve me karta identiteti. Në një letër drejtuar ministrit të brendshëm, Bujar Nishani, partia më e madhe e opozitës kërkoi që brenda datës 30 maj qeveria të nxjerrë listën e qytetarëve pa pasaportë që kanë aplikuar për kartë identiteti dhe një listë tjetër të atyre që e kanë marrë atë.

Nga këto të dhëna kjo parti do të nxjerrë edhe qëndrimin e vet për procesin e prodhimit të kartave si element kryesor i zgjedhjeve. Partia Socialiste thekson në letrën për ministrinë e brendshme se pajisja e qytetarëve me karta identiteti duket si një detyrë e pamundur duke rrezikuar që të dështojnë standartet demokratike në zgjedhjet e qershorit.

Ndërsa ministria e brendshme ka përgënjeshtruar në reagimet e veta informacionet e P.S. për procesin e kartave të identitetit. Përfaqësues të saj pohojnë se ky proces po funksionon me kapacitetin e tij maksimal.

Sipas njoftimit më të fundit publik të ministrisë së brendshme, deri tani kanë aplikuar 1 milionë e 50 mijë shtetas, gjysma nga të cilët i përkasin grupit pa pasaportë. Janë prodhuar 890 mijë letërnjoftime elektronike, dhe më tepër se gjysma e tyre, rreth 520 mijë, janë tërhequr tashmë prej qytetarëve. Ministria e Brendshme vazhdon t'u bëjë thirrje qytetarëve të paraqiten për të tërhequr letërnjoftimet e prodhuara.

Autoritetet e ministrisë së brendshme thonë se procesi është tërësisht transparent, se PS dhe publiku janë informuar në detaje dhe zyrtarisht në mënyrë periodike. "Asnjë qytetar nuk do të mbetet pa kartë identiteti - thuhet në njoftimin e ministrisë së brendshme - dhe mund ta marrë atë brenda 10 ditësh nga data e aplikimimit.

Ndërkaq misioni i vëzhguesve të OSBE-ODIHR që është vendosur në Tiranë për të vëzhguar zgjedhjet e ardhshme sapo publikoi raportin e parë të ndërmjetëm. Ekspertët e ODIHR-it theksojnë në këtë raport të parë se për procesin e zgjedhjeve të 28 qershorit çështja e letërnjoftimeve të reja mbetet më e debatuara dhe se klima politike mbetet tepër e polarizuar mes dy partive më të mëdha.//kk//

XS
SM
MD
LG