Lidhje

Provë tjetër e Koresë së Veriut me raketë me rreze të shkurtër


Agjencia e lajmeve Yonhap e Koresë së Jugut bëri të ditur se Koreja e Veriut kreu një provë me raketë me rreze të shkurtër, hera e gjashtë që hedh një raketë që nga e hëna.

Prova kryehet vetëm disa orë pasi Pheniani u zotua të marrë masa të tjera vetë-mbrojtëse nëse provokohet nga Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara.

Ministrija e Jashtme e bëri këtë paralajmërim me anë të një deklarate, në të cilën thuhej se çdo veprim armiqsor nga Këshilli i Sigurimit do të përbëjë anullimin e armëpushimit të vitit 1953, që i dha fund luftës së Koresë.

Përfaqësuesit e 5 vendeve anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit, Shtetet e Bashkuara, Britania, Kina, Franca dhe Rusia, u takuan pas dyerve të mbyllura për të diskutuar mbi sanksionet e mundshme kundër Koresë së Veriut për provën e saj bërthamore.

Sanksionet mund të përfshijnë zgjerimin e embargos së armëve si dhe vënien e kufizimeve mbi rregullat financiare a ato bankare.

Zyrtarët thanë se nuk ka të ngjarë që një rezolutë të miratohet para javës së ardhshme. Diplomatët e cilësuan takimin e djeshëm konstruktiv por dhanë pak hollësi.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Robert Gejts tha sot gjatë rrugës për në Singapor se nuk ishte në dijeni për ndonjë lëvizje të pazakontë trupash në Korenë e Veriut dhe se nuk shihte nevojën për shtimin e pranisë së trupave amerikane në Korenë e Jugut. (ze)

XS
SM
MD
LG