Lidhje

Partia Socialiste intensifikon akuzat në lidhje me letërnjoftimet


Në Shqipëri partia socialiste rriti sot dozën e toneve të saj për cështjen e letërnjoftimeve duke deklaruar se ajo në asnjë rast nuk do të lejojë zgjedhje të manipuluara apo transformimin e rezultatit përmes lojës me letërnjoftimet, sic u shpreh sekretari për çështjet zgjedhore Kastriot Islami. Socialistët kërkuan të kenë disa lista të personave pa pasaportë dhe atyre që kanë pasaportë. Ministria e Brendshme reagoi menjëherë duke i dërguar një pjesë të listave por duke shtuar se emrat e qytetarëve që zotërojnë pasaportë nuk mund të jepen për shkak të ligjit mbi mbrojtjen e të dhënave. Socialistet e cilesuan pergjigjen si te paplote duke shtuar se do te presin deri me 31 maj te gjithe informacionin e kerkuar.

Ndonëse duke theksuar disa herë se qëndrimi i tyre është i qartë për të respektuar mbajtjen e zgjedhjeve më 28 qershor, socialistët po vënë pikëpyetje të forta mbi procesin për shkak të situatës sipas tyre të rëndë që është krijuar me qyetarët që nuk kanë pasaportë dhe që ende nuk kanë marrë letërnjoftimit. Sekretari për Cështjet Zgjedhore Kastriot Islami tha se "Situata e pajisjes se votuesve pa pasaportë me leternjoftimi mbetet shqetësimi kryesor që rrezikon rëndë zgjedhjet e lira e të ndershme. Procesi duket shqetësues dhe shumë pranë deshtimit. Arsyet e këtij dështimi janë të qarta e evidente: paaftësi dhe mungesë vullneti nga ana e qeverisë dhe synim i qartë i Kryeminsitrit Berisha për të transformuar rezultatin e zgjedhjeve përmes lënies pa letërnjoftimi të një numri të konsiderueshëm zgjedhësish prezentë në listat e votimit".

Sipas socialistëve gjendja aktuale është e papranueshme dhe kanë bërë akuza të qarta për përpjekje sipas tyre për manipulim nga ana e qeverisë.

"Kjo situatë është e papranueshme dhe në asnjë rast nuk do të lejohet zhvillimi i zgjedhjeve të manipuluara. Në asnjë rast nuk do të lejohet ndryshimi apo transformimi i rezultatit të zgjedhjeve përmes lojës me letërnjoftimet", deklaroi zoti Islami.

Ai shtoi se qëndrimi ndaj zgjedhjeve do të varet nga transparenca e autoriteteve dhe plotësimi i kërkesës së tyre për të marrë në dorë informacionet mbi procesin. Socialistët të cilët i dërguan një letër dje Ministrit të Brendshëm përsëritën sot se kërkojnë listën e votuesve pa pasaportë e që kanë aplikuar, listën e atyre që pas aplikimit e kanë marrë letërnjoftimin dhe listën e personave që kanë pasaportë.

Ministria e Brendshme reagoi menjëherë dhe bashkë me përgjigjen e saj ka dërguar listat e personave pa pasaportë që ende nuk kanë aplikuar, listë e cila nuk është kerkuar nga socialistët. Ministria sqaroi gjithashtu se se listën e atyre që kanë marrë letërnjoftimin do t'ja dorëzojë opozitës sapo të marrë të dhënat nga firma koncesionare që prodhon dokumentin si dhe ka përsëritur se nuk mund të japë listën e atyre që kanë pasaportë pasi kjo ndalohet nga ligji për mbrojtjen e të dhënave. Për këtë të fundit në fakt, socialistët kanë këmbëngulur se ata kërkojnë vetëm emrat dhe tre prej numrave serial të pasaportës pa asnjë të dhënë tjetër.

Për ministrinë e Brendshme megjithatë procesi po ecën normalisht. Sipas zëdhënësit Fatmir Konja "deri më datën 26 Maj kanë aplikuar për letërnjoftime elektronike 1 milion e 100 mijë shtetas, ku rreth 450 mijë prej tyre i takojnë grupit të qytetarëve pa pasaportë. Nga disa testime të bëra në terren rezulton se 160 mijë deri në 260 mijë shtetas nga grupi i personave që nuk zotërojnë pasaportë, janë jashtë Shqipërisë, fakt të cilin e kanë pranuar edhe përfaqësues të Partisë Socialiste".

Marzhi i luhatjes prej 100 mijë i atyre që mund të jenë jashtë vendit duket mjaft i lartë. Në raportin e djeshëm të vëzhguesve ndërkombëtar flitej për vlerësime përr afër 160 mijë personave që mendohet se mund të jenë jashtë vendit. Socialistët të cilët reaguan në mbrëmje e cilësuan si një interpretim abuziv dhe arbitrar deklarimin e Ministrisë për qytetarët pa pasaporta që mendohet se janë jashtë vendit.

Përgjigjen dhe letrën e Ministrisë së Brendshme zoti Kastriot Islami e konsideroi të paplotë dhe të pasaktë duke theksuar se "u ishte dhënë një listë që nuk e kishin kërkuar, se emrat e atyre që s'kanë pasaportë dhe kanë aplikuar e kanë marrë letërnjoftimin e ri ishin kërkuar prej disa javësh dhe se këmbëngulja e ministrisë për të mos dhënë listat e personave që zotërojnë pasaportë i lë vend - sipas tij – dyshimit për manipulim me shifrën prej 730 mijë votuesish". Zoti Islami ripërsëriti se partia socialiste do të presë deri më 31 maj një përgjigje të plotë e të saktë nga Ministria, pas të cilës ajo do të përcaktojë edhe qëndrimin e saj për zgjedhjet. //ad//
XS
SM
MD
LG