Lidhje

SHBA, masa për mbrojtjen e sigurisë së rrjeteve kompjuterike


Presidenti Obama po ndërmerr hapa që ai thotë se do të mbrojnë më mirë sigurinë e sistemeve kompjuterike amerikane. Ai do të emërojë një ndihmës të posaçëm për të drejtuar përpjekjet në këtë fushë.

Presidenti Obama thotë se kërcënimi që vjen nga kompjuterat është real.

"Në fakt, në botën e sotme, aktet e terrorit mund të vijnë jo vetëm nga disa ekstremistë me jelekë me bomba por edhe nga disa klikime në kompjuter, një armë e shkatërrimit në masë."

Zoti Obama tha dje se Shtetet e Bashkuara prej kohësh nuk e kanë mbrojtur sa duhet sigurinë e rrjeteve të tyre kompjuterike dhe parashtroi një plan për ta përmirësuar këtë siguri.

"Që tani e tutje, infrastruktura jonë dixhitale, rrjetet kompjuterike nga të cilat ne varemi në jetën e përditshme, do të trajtohen ashtu siç duhen trajtuar – një aset strategjik kombëtar."

Si pjesë e këtij plani, Presidenti do të emërojë së shpejti një ndihmës të posaçëm i cili do të merret me mbrojtjen e sistemeve kompjuterike të vendit.

"Do të krijoj një zyrë këtu në Shtëpinë e Bardhë e cila do të drejtohet nga Koordinatori i Sigurisë në Internet. Për shkak të rëndësisë kritike të kësaj pune, unë do ta zgjedh personalisht këtë zyrtar. Do të mbështetem tek ai për të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me sigurinë në Internet.”

Plani i zotit Obama përfshin gjithashtu një fushatë për të rritur ndërgjegjësimin e publikut rreth sfidave dhe kërcënimeve ndaj sigurisë në Internet.

Presidenti tha se ai i kishte provuar vetë kërcënime të tilla. Vitin e kaluar, hakerat mundën të hynin në sistemin kompjuterik të fushatës së tij presidenciale.

"Hakerat arritën të hynin në e-mailet dhe një numër dokumentesh të fushatës, nga dokumentet për formulimin e politikave e deri te planet e udhëtimeve. Ne punuam nga afër me FBI-në dhe me Shërbimin Sekret si dhe morëm ekspertë për të rivendosur sigurinë e sistemeve tona. Ishte një kujtesë e fuqishme."

Zoti Obama tha se megjithatë, u arrit të ruhej siguria e emrave dhe informacioni financiar i kontribuesve të fushatës. //ii

XS
SM
MD
LG