Lidhje

Amerika, Arabia Saudite dhe roli i saj në Lindjen e Mesme


Vetëm një ditë para se të vizitojë Kairon, Presidenti Barak Obama do të shkojë më 3 qershor në Arabinë Saudite ku do të takohet me mbretin Abdullah. Shumë vëzhgues sauditë po shprehin hamendje të ndryshme për temat që dy udhëheqësit do të diskutojnë. Si mbrojtës i vendeve të shenjta islame dhe si autor i planit arab për paqe të vitit 2002, Mbreti Abdullah ka një ndikim të madh në botën islame.

Marrëdhëniet e Shteteve të Bashkuara me Arabinë Saudite zenë fill që nga themelimi i Mbretërisë Saudite në vitet 1930 dhe ato u forcuan me zbulimin e naftës nga një kompani amerikane disa vite më pas.

Arabia Saudite u bë një ndër aleatet kryesore të Amerikës gjatë Luftës së Ftohtë, dhe megjithë disa periudha të shkurtëra tronditjesh, ajo ka patur marrëdhënie të ngushta me Shtetet e Bashkuara.

Vizita e presidentin Obama më 3 qershor në Arabinë Saudite po shihet nga shumë analistë si një mundësi për t’i rigjallëruar këto marrëdhënie, dhe për të biseduar mbi shumë shqetësime të përbashkëta si Irani, konflikti arabo-izraelit dhe kriza ekonomike globale.

Mbreti Abdullah erdhi në pushtet në gusht të vitit 2005, pas vdekjes së vëllait të tij nga babai, Mbretit Fahd. Abdullahu kishte krijuar emër si njeri i popullit dhe si reformator.

Mbretit Abdullah i është dashur të përballet me një rebelim të terroristëve të al-Kaidës por gjatë viteve të fundit ai ka arritur t’i godisë ata dhe të rivendosë rendin në pjesën më të madhe të mbretërisë.

Ja si e përshkruan luftën kundër al-Kaidës Mbreti Abdullah:

“Një bandë e vogël terroristësh kriminalë po prish marrëdhëniet tona me të tjerët dhe po njollos imazhin e Islamit dhe të myslimanëve. Varet nga ne, për ta luftuar këtë bandë, për ta mposhtur atë dhe për të ndërtuar marrëdhënie me të tjerët në bazë të logjikës së shëndoshë...”

Mbreti Abdullah ka një ndikim mjaft të madh në botën arabe dhe islamike, dhe siç shprehet drejtori i qendrës Carnegie për Paqe në Lindjen e Mesme, Paul Selem, ai luan një rol kryesor në përmirësimin e marrëdhënieve të Amerikës me arabët dhe myslimanët.

“Mbreti Abdullah i Arabisë Saudite është një lojtar kryesor në tri fronte: njëri front është bota e përgjithshme islamike; Arabia Saudite është selia e Organizatës së Konferencës Islamike dhe vendi i Mekës dhe Medinës, kështu që ajo është një lojtar i rëndësishëm në përpjekjet e zotit Obama për të riparuar marrëdhënjet me botën myslimane dhe arabe.”

Zoti Salem thotë se çështjet e ekonomisë dhe sigurisë pritet të jenë në qendër të bisedimeve mes zotit Obama dhe Mbretit:

“Arabia Saudite është një lojtar kryesor në çështjet e Gjirit, të sigurisë së Gjirit, naftës dhe tensioneve me Iranin, kështu që jam i sigurt se do të ketë mjaft gjëra për të biseduar... Arabia Saudite është vendi që solli në tryezë nismën për paqe të vitit 2002 dhe është aktore kryesore në procesin arabo-izraelit të paqes. Po ashtu, ajo është një lojtare kryesore në krizën ekonomike globale nëpër të cilën po kalon Amerika.”

Botuesi i gazetës së përditshme saudite në gjuhën angleze, Khaled al-Maeena, mendon se Arabia Saudite dëshiron t’i thotë disa gjëra zotit Obama:

“Gjëja e parë që Arabia Saudite dëshiron ti tregojë zotit Obama është se Shtetet e Bashkuara duhet të kenë politika të paanshme dhe një qendrim të qartë për çështjen e Lindjes së Mesme dhe kjo përfshin të gjithë Lindjen e Mesme, Palestinën dhe më pas Gjirin e deri tek Pakistani.”

Arabia Saudite ka kohë që shihet si kundërpeshë politike e Iranit në rajonin e Gjirit dhe falë marrëdhënieve të saj në Lindjen e Mesme ajo ka aftësinë për të zbutur konfliktet e ndryshme rajonale. //ii

XS
SM
MD
LG