Lidhje

Socialistët akuzojnë Ministrinë e Brendshme për manipulime


Për disa ditë me radhë Partia Socialiste dhe Ministria e Brendshme patën një lertërkëmbim të shpeshtë të shoqëruar me një komunikim mediatike në distancë për çështjen e letërnjoftimeve.

Socialistët kishin vënë si afat ditën e djeshme brenda së cilës ata prisnin një përgjigje për disa kërkesa për informacione mbi ecurinë e procesit të letërnjoftimeve. Sot ata deklaruan se nuk kishin marrë përgjigje të plotë. Madje informacionet që atyre u janë dhënë, listat e personave pa pasaportë që kanë aplikuar dhe të atyre që ende nuk kanë aplikuar, bien ndesh me njëra tjetrën dhe rezultojnë sipas sekretarit për çështjet zgjedhore Kastriot Islami të rreme dhe të manipuluara: "Shifra zyrtare prej 730 mijë votuesish pa pasaportë mbi të cilën Ministria e Brendshme ka këmbëngulur, rezulton e pavërtetë dhe e zvogëluar ndjeshëm. Numri i personave që kanë aplikuar rezulton kontradiktor dhe ndryshon nga njëri disk në tjetrin duke nxjerrë për votuesit pa pasaportë një shifër të zmadhuar në kundërshti me të dhënat e përgjithshme dhe shifrat e dhëna në dinamikë".

Zoti Islami tha se mjaftojnë këto fakte për të ngritur hipotezën e akuzës për shpërdorim detyre dhe fallsifikim të të dhënave zyrtare. Ai njoftoi se Partia Socialiste po përpilon kallzimin penal për drejtuesit e Ministrisë së Brendshme.

Nga kjo ministri nuk ka patur deri më tani asnjë reagim mbi pretendimet e Partisë Socialiste. Në letrën e fundit të dërguar dje nga zëvendësministri Ferdinand Poni, ministria shprehej se procesi po ecte normalisht dhe brenda parametrave për të mundësuar pajisjen me dokumentin e ri të identifikimit të të gjithë personave pa pasaportë. Ministria e Brendshme ka refuzuar t'i japë Partisë Socialiste listën e të gjithë atyre që zotërojnë pasaportën duke deklaruar se ligji për mbrojtjen e të dhënave personale nuk ua lejon një gjë të tillë. Ndërkohë që socialistët shprehen se ata kërkojnë vetëm listat emërore me numrin serial të pasaportës pa asnjë të dhënë tjetër.

Po sot për çështjen e letërnjoftimeve u shpreh edhe kryetari i LSI-së Ilir Meta sipas të cilit duhet gjetur sa më shpejt një zgjidhje. Duke qenë se kodi zgjedhor ishte produktu vetëm i dy forcave më të mëdha, zoti meta shtoi se asnjë nga këto dy forca nuk duhet të sajojë shkaqe për të prishur zgjedhjet duke parlajmëruar kryeministrin Sali Berisha që të mos përpiqet, sic u shpreh ai, të zgjasë dorën drejt qëndrave të votimit. //rd//


XS
SM
MD
LG