Lidhje

Ekspertët për fjalimin e Obamës drejtuar botës myslimane


Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barak Obama, përgatitet të mbajë fjalimin e tij të shumëpritur drejtuar botës myslimane.Ai do të flasë të enjten gna Egjipti, duke respektuar kështu premtimin e bërë gjatë fushatës së tij presidenciale.Zoti Obama po vepron aktivisht në favor të dialogut me myslimanët pas dekadash të tëra marrëdhëniesh të acaruara.

Dialogu filloi që ditën e parë.

"Botës myslimane i them se ne shikojmë një rrugë të re përpara, të bazuar në interesin reciprok dhe në respektin reciprok”.

Ky premtim u intensifikua në Turqi në prill, në fjalimin që ai mbajti në parlamentin e vendin.

"Shtetet e Bashkuara nuk janë dhe nuk do të jenë kurrë në luftë me Islamin”.

Kjo ishte një referencë e shkurtër por e rëndësishme për lidhjen me komunitetin mysliman në përgjithësi.Dhe tani me një fjalin nga zemra e botës arabe, presidenti do t’i zgjerojë këto motive.Ja si shprehet sekretari i shtypit i Shtëpisë së Bardhë, Robert Gibs:

"Ky nuk është një fjalim për udhëheqësit. Ky është një fjalim për shumë e shumë njerëz”.

Eduard Gnehm jetoi një kohë të gjatë në Lindjen e Mesme, ku punoi si ambasador i Shteteve të Bashkuara në Kuvajt dhe Jordani.

"Duke shkuar në rajon, ai nuk po i flet rajonit nga jashtë ose nga Uashingtoni, apo Evropa.Ai po shkon tek ata.Ai do të flasë nga një kryeqytet që është parë për shekuj me radhë si qendër e kulturës, arsimit dhe fesë, dhe ajo është Kajroja”.

Ngjarjet e kohëve të fundit, lufta në Irak dhe mungesa e përparimit në procesin e paqes në Lindjen e Mesme e kanë shtuar mosbesimin, thonë analistët. Qëllimi i zotit Obama është të zbusë acarimet dhe të ndryshojë tonin e marrëdhënieve. Xhejms Zogbi, president i Institutit arabo-amerikan në Uashington, vë re ndryshime në qendrimin e botës arabe ndaj Amerikës, që kur Presidenti Obama erdhi në post.

"Prirja është pozitive dhe mund të vazhdojë të jetë pozitive.Por ai duhet ta materializojë atë”.

Arabët presin që presidenti të trajtojë çështje kritike, thotë zoti Zogbi, duke filluar me konfliktin arabo-izraelit.

"Shpresoj që ai ta shfrytëzojë këtë rast. Ai po shkon në atje dhe bota do t’i kushtojë vemendje çdo fjale që ai thotë”.

Presidenti Obama u takua kohët e fundit me udhëheqësit arabë dhe izraelitë. Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë se nuk duhen pritur propozime të reja të mëdha në fjalimin e tij.Robert Setlof, president i Institutit të Uashingtonit për Politikat e Lindjes së Afërme, thotë se qëllimi imediat i Presidentit Obama është të demonstrojë shqetësimin për çështjen dhe të tregojë se ai është i gatshëm të angazhohet për zgjidhje.

"Dhe në qoftë se ai vazhdon në këtë rrugë, e cila sugjeron një diskutim të pjekur dhe të matur për çështje të vështira, çështje për të cilat ne jemi dakord dhe për çështje që ne nuk jemi dakord, unë mendoj se shumica e arabëve dhe myslimanëve, se ekstremistët nuk do të jenë kurrë palë në bisedime, pra shumica e arabëve dhe myslimanëve duan të angazhohen në dialog me Shtetet e Bashkuara”.


Por Eduard Gnehm thotë se në një moment të caktuar fjalët duhet të kthehen në veprime konkrete dhe sjell si shembull kontaktet e tij me njerëzit në Lindjen e Mesme.

"Unë isha në rajon kohët e fundit dhe njerëzit më thanë: ‘fjalët janë të mira, na pëlqejnë, por ne duam të shohim veprime’”.


Ndërkohë që Presidenti Obama përgatitet të niset me avionin presidencial për në Lindjen e Mesme, fjalët do të jenë tejet të rëndësishme për të zbutur retorikën dhe për të hapur një epokë të re në marrëdhëniet mes Shteteve të Bashkuara dhe myslimanëve në gjithë botën. //iç//

XS
SM
MD
LG