Lidhje

Presidenti Obama takohet me Mbretin e Arabisë Saudite


Presidenti Barak Obama ndodhet në Arabinë Saudite, ndalesa e parë në turneun i cili përfshin një nismë madhore për t'u shtrirë dorën miliona myslimanëve në mbarë botën.

Mbreti saudit Abdullah e priti presidentin amerikan me ceremoni në aeroportin e Riadit. Presidenti Obama vlerësoi lart "marrëdhëniet strategjike" dhe "historinë e gjatë të miqësisë" mes dy vendeve dhe pastaj shkoi në fermën e Mbretit Abdullah për bisedime private.

Shtëpia e Bardhë tha se ata diskutuan rreth paqes në Lindjen e Mesme, gjendjes në Afganistan dhe Pakistan, Iranit, energjisë dhe çështjeve të tjera që lidhen ngushtë me rajonin.

Në një deklaratë të Shtëpisë së Bardhë thuhet se zoti Obama dhe Mbreti Abdullah folën gjithashtu mbi fjalimin që Presidenti amerikan do të mbajë të enjten në Universitetin e Kajros drejtuar botës myslimane.

Në fjalim, Presidenti Obama pritet të flasë edhe për procesin e paqes në Lindjen e Mesme si dhe për çështje që lidhen me ekstremizmin dhe dhunën fetare.

Zyrtarë të lartë të Shtëpisë së Bardhë thanë të mërkurën mbrëma se zoti Obama vazhdonte t'i jepte dorën e fundit fjalimit dhe kishte në plan të trajtonte fuqishëm dhe në mënyrë të drejtpërdrejtë çështjet që i kanë tensionuar marrëdhëniet e Shteteve të Bashkuara me botën myslimane. //ii

XS
SM
MD
LG