Lidhje

Presidenti Obama arrin në Egjipt


Presidenti Barak Obama ndodhet në Egjipt, ndalesa e dytë e turneut të tij që përfshin një përpjekje të rëndësishme për t’u shtrirë dorën myslimanëve kudo në botë.

Sot në orën 12 e 10 minuta në Universitetin e Kajros, ai do të mbajë fjalimin e shumëpritur drejtuar botës myslimane.

Ndihmës të presidentit thanë se ai do të përpiqet të ndryshojë tonin e marrëdhënieve mes Shteteve të Bashkuara dhe myslimanëve, nga mosbesimi në bashkëpunim dhe sinqeritet. Pritet që zoti Obama të flasë edhe për procesin e paqes në Lindjen e Mesme dhe për çështje të ekstremizmit dhe dhunës fetare.

Presidenti Obama e filloi turneun dje në Arabinë Saudite ku pati bisedime me Mbretin Abdullah.

Sipas Shtëpisë së Bardhë, ata diskutuan rreth paqes në Lindjen e Mesme, gjendjes në Afganistan dhe Pakistan, Iranit, energjisë dhe çështjeve të tjera që lidhen ngushtë me rajonin.

Presidenti Obama vlerësoi lart "marrëdhëniet strategjike" dhe "historinë e gjatë të miqësisë" mes dy vendeve.

Këshilltarë të presidentit thanë se fjalimi i tij në Kairo do të jetë vetëm një pjesë e procesit të gjatë drejt synimit për të riparuar marrëdhëniet amerikane me botën myslimane.

Menjëherë pas arritjes së Presidentit Obama në Rijad, televizioni Al-Xhazira transmetoi një audiokasetë të re me zërin e Osama bin Ladenit, i cili kritikonte përpjekjet e Presidentit Obama për t’u lidhur me myslimanët.

Nga Egjipti, Presidenti Obama do të shkojë në Gjermani për bisedime me Kancelaren Angela Merkel dhe për të vizituar ish kampin e përqendrimit të Buhenvaldit.

Presidenti Obama e përfundon turneun në Francë ku do të takohet me Presidentin Nikola Sarkozi dhe do të marrë pjesë në ceremonitë me rastin e 65-vjetorit të zbarkimit të aleatëve në Normadi që ndihmoi në fitoren e Luftës së Dytë Botërore.

XS
SM
MD
LG