Lidhje

ODIHR-i publikon raportin mbi ecurinë e zgjedhjeve


Në Shqipëri misioni i Vëzhguesve të ODIHR-it publikoi raportin e dytë për procesin zgjedhor i cili përfshin periudhën nga 22 maji deri më 3 qershor. Vëzhguesit ndërsa konstatojnë se fushata po zhvillohet e qetë, shprehen se udhëheqësit e të dy forcave kryesore politike në disa raste i kanë përdorur aktivitetet shtetërore me sfond elektoral. Në raport theksohet se çështja e letërnjoftimeve vazhdon të shkaktojë debate mes pozitës dhe opozitës, ndërkohë që në ndryshim nga zgjedhjet e mëparshme nuk ka patur kundërshtime për listat e votuesve

Në ndryshim nga raporti i parë paraprak, raporti i fundit i i misionit të ODIHR, nuk është vetëm përshkrues por përfshin edhe probleme të konstatuara nga grupet e vëzhguesve ndërkombëtarë. Kështu duke nisur që nga situata politike dhe zhvillimi i fushatës, ajo cilësohet e qetë me disa incidente të izoluara. Megjithatë vëzhguesit kanë vënë re se "Si qeveria, ashtu dhe kryetari i Bashkisë së Tiranës kanë përdorur aktivitetet zyrtare për qëllime elektorale, duke shkelur kufijtë mes shtetit dhe partisë" duke sjellë edhe shembuj konkretë për këtë.

Në raport thuhet gjithashtu se vëzhguesit kanë marrë "një sërë ankesash, nga disa parti të opozitës, për presion te punonjësit e sektorit publik, përfshi këtu kërcënime se ata do të humbisnin vendin e punës, nëse nuk do të ndalonin pjesëmarrjen në aktivitete politike" dhe rasti më tipik jepet ai i paraqitur nga Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut e cila pretendon se të paktën 18 mbështetës të saj u pushuan nga puna pasi kjo forcë u rreshtua me kampin opozitar.

Përsa i përket administrimit të zgjedhjeve, vëzhguesit kanë konstatuar se Komisioni Qëndror i zgjedhjeve mbetet thellësisht i ndarë politikisht. Në raport vlerësohen përpjekjet e kryetarit të këtj institucioni për një vendimmarrje konsensuale, por sic theksohet në tekst vendimet për shumë cështje të debatueshme janë marrë sipas linjave partiake. Vëzhguesit konstatojnë vonesat përtej afateve kohore në ngritjen e komisioneve të qendrave të votimit për shkak të partive që nuk kishin dërguar emrat e përfaqësuesve të tyre.

Në raport vlerësohet se në ndryshim nga zgjedhjet e mëparshme përmbajtja e listave të votuesve nuk është kundërshtuar nga asnjë forcë politike. Megjithatë shpërndarja dhe publikimi i tyre pranë qendrave të votimit nuk është realizuar brenda afateve të parashikuara.

Raporti trajton sërish si një çështje mjaft të diskutueshme mes pozitës dhe opozitës, problemin e letërnjoftimeve të reja dhe vecanërisht rastin e personave pa pasaportë duke përshkruar qëndrimet si të qeverisë ashtu dhe dyshimet e opozitës.

"Më 28 maj – shkruhet në raport - Ministria e Brendshme shpërndau për PS-në, Prezencën e OSBE në Shqipëri dhe për Misionin Vëzhgues të OSBE/ODIHR, një database me të dhëna jo korrekte në lidhje me qytetarët që nuk kanë pasaporta. Kjo çoi në përplasje mes qeverisë dhe PS; Ministria e Brendshme e quajti këtë një gabim teknik, ndërsa PS akuzoi për manipulim të qëllimshëm të bazës së të dhënave çka (sipas saj) mund të ndikonte dhe rezultatin e zgjedhjeve", vazhdon raporti.

Ndërsa nga vetë vrojtimet në terren të vëzhguesve është konstatuar se në disa raste qytetarët nuk kanë marrë kompensimin për letërnjoftimet, sic përcakton një vendim i qeverisë, ndërsa zyrat e postave po sipas raportit nuk ishin të informuar si duhet për këtë vendim. Vezhguesit përmendin edhe rastet e ndërprerjeve të energjisë apo internetit gjatë procesit të aplikimeve duke cituar të paktën katër zona gjë e cila vështirëson sipas tyre aplikimin brenda afateve për dokumentin e ri.

Përsa i përket mediave vëzhguesit thonë se në peridhën e përfshirë prej raportit, pasqyrimi mediatik i fushatës u karakterizua nga një mbulim i pabalancuar dhe i pjesshëm i subjekteve kryesore politike.//kk//

XS
SM
MD
LG