Lidhje

Projekti evropian i makinave pa shofer


Duke përdorur nje teknologji më të avancuar sesa ajo që përdoret për rraketat e telekomanduara, programi CyberCar për automjetet i Bashkimit Evropian po tregon nga afër se si mund të duket sistemi i transportit në të ardhmen e afërt. Vetë automjetet nuk janë në plan të parë të projektit, por është sistemi i navigimit që do të duhet të programojë dhe zbatojë linjat e komunikimit, për të mundësuar komandim të plotë që nga motorri i veturës, sistemi i drejtimit, apo edhe veprime të tjera. Në rubrikën e teknologjisë, kolegu Kastriot Haxhiaj na çon në Finlandë, për të na njohur me makinat pa shofer.

Veturat pa shofer janë tërësisht automatike, por ato mund të modifikohen përmes kodeve speciale në kompjuter. Veturat gjithashtu mund të drejtohen përmes një telefoni celular....sikurse BMV-ja e James Bond-it Në një pavion në Helsinki, të ashtuquajturat "Vetura të së ardhmes" ngjasojnë me makinat e vogla që përdoren në fushën e golfit....por me një ndryshim - brenda tyre fshihen teknologjia e lartë me lazer dhe paisje navigimi të pozicionimit global. Vetura ndjek një rrugë të programuar përmes navigatorit, apo GPS-it...duke përdorur një ekran me prekje, ndërsa rrezet lazer përdoren për të menjanuar përplasjet.

Ka ngjashmëri me teknologjinë e përdorur për raketat e telekomanduara, pavarësisht se kompanitë që po ndërtojnë automjetet nuk kanë patur ndonjë lidhje me teknologjinë ushtarake. Ndryshe nga raketat që programohen të shkatërrojnë një objektiv, vetura pa shofer programohet që të menjanojë çdo lloj pengese dhe faktorësh të paparashikuar, ndërkohë që përshkon itinerarin e caktuar, thotë Laurent Bouraoui...i programit evropian.

"Vetura është tërësisht automatike. Teknologjia e përdorur është një kombinim i Sistemit Global të Pozicionimit-GPS me sensorë, në mënyrë që automjeti të ndjekë një rrugë të përcaktuar, apo të rindërtuar përmes një algoritmi, një metodë matematikore".

Sistemi kompjuterik me ekran me prekje realizon rrugëtimin e makinës, ndërkohë që një zë i automatizuar u jep informacione pasagjerëve. Mundësitë janë të pafundme dhe inxhinierët thonë se veturat janë mjaft të sigurta. Vetura të tilla pa shofer, CyberCars, janë tashmë në funksionim në aeroportin londinez Heathrow, por do të duhen vite para se këto vetura të pushtojnë rrugët dhe autostradat.

"Pavarësisht se parashikimet ekonomike nuk janë pozitive, kjo gjë ndoshta mund të ndikojë pozitivisht, pikërisht për të përshpejtur programin e këtyre makinave që funksionojnë me një kosto më të vogël dhe pa e ndotur mjedisin, duke zgjidhur kështu edhe problemet e transportit urban".

Në qytetin Vantaa, jo larg kryeqytetit Helsinki, po ndërtohet një i ashtuquajtur "distrikt ekologjik" për rreth 30 mijë banorë. Plani parashikon zbatimin e teknologjisë së fundit aty ku është e mundur dhe ideja e makinës CyberCar përfshihet në këtë plan mjaft mirë, duke patur vetinë e mos ndotjes së mjedisit.

Gilbert Koskela është manaxher projekti. Ai thotë se përveç përfitimeve ekologjike, vetura pa shofer do t'i bënte rrugët më të sigurta, pasi njeriu do të ishte më pak i përfshirë në manovrimin e saj.

"Ky lloj transporti personal tranzit dhe i shpejtë të çon më shpejt në destinacion, pa patur nevojë të ndalosh. Makina të dërgon ku të duash, sipas porosisë që bën personi. Makinat do të jenë pa orar dhe ofrojnë shërbim më të mirë sesa transporti i zakonshëm. Në këtë mënyrë njerëzit do të heqin dorë nga makinat e tyre".

Zoti Koskela thotë se do të duhet pune për të bindur politikanët dhe qytetarët, se kjo teknologji do të sjellë lehtësi për të gjithë. Makinat ende nuk janë vënë në provë në kushtet e bores apo ngricës, diçka e domosdoshme për atë vend, ku dimrat janë të gjatë dhe shpesh tejet të ftohtë. //iç//

XS
SM
MD
LG