Lidhje

Iran: Protestuesit përleshen me policinë në rrugët e Teheranit


Protestues të zemëruar u përleshën dje me policinë në rrugët e Teheranit pas deklarimit të zyrtarëve se presidenti Mahmud Ahmadinexhad ishte rizgjedhur me rezultat të thellë.

Mijra përkrahës të rivalit kryesor të zotit Ahmadinexhad, reformistit Mir Hosein Musavi, u përhapën në kryqytet duke djegur goma makinash dhe duke hedhur gurë. Këto janë rastet më të rënda të dhunës në Iran që nga protestat studentore para 10 vjetëve.

Protestuesit thërrisnin "Poshtë diktatori", dënonin atë që ata e quanin "vjedhje të zgjedhjeve" dhe i bënin thirrje zotit Musavi të kërkonte që votat e tyre të numëroheshin siç duhet.

Policia u kundërpërgjigj duke përdorur gaz lotsjellës dhe shkopinj gome kundër protestuesve. Policë me veshje speciale dhe me motocikleta u përpoqën të shpërndajnë protestat.

Mbrëmë vonë, fushata e zotit Musavi bëri thirrje për qetësi.

Përleshjet filluan dje, menjëherë pasi ministri i Brendshëm i Iranit deklaroi se zoti Ahmadinexhad kishte fituar 62.6 përqind të votave.

Ky rezultat i jep presidentit iranian afro dy herë më shumë vota sesa rivalit të tij kryesor, kandidatit reformist Mir Hosein Musavi që mori 33.75 përqind.

Në një fjalim, zoti Ahmadinexhad e quajti rezultatin “një fitore të madhe” dhe tha se zgjedhjet ishin “plotësisht të lira”.

Por zoti Musavi deklaroi se votimet u shoqëruan nga parregullsi serioze.

Shërbimi i telefonisë celulare në kryeqytet është ndërprerë dhe sipas njoftimeve ka patur probleme për të hyrë në Facebook dhe rrjete të tjera të komunikimit social në internet.

Rezultatet e zgjedhjeve kanë befasuar shumë analistë që kishin parashikuar një garë të ngushtë mes presidentit aktual dhe zotit Musavi.

Udhëheqësi suprem i Iranit, Ajatollah Ali Kamenei, i përshëndeti rezultatet. Ai tha se pjesmarrja e madhe në votime, më shumë se 80 përqind, dhe të 24 miliona votat e hedhura për zotin Ahmadinexhad janë një festë e vërtetë.

Në internet po vërshojnë videot e demonstratave me imazhe ku duken zjarre në rrugët e kryeqytetit dhe protestues që hedhin parrulla. Aty mund të shihen mijra mbështetës të opozitës që marshojnë nëpër rrugë.

NJË DITË PROTESTASH PAS ZGJEDHJEVE PRESIDENCIALE

Rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve presidenciale u bënë publike nga ministri i Brendshëm, Sadek Mahsuli, i cili shpalli presidentin e tanishëm Mahmud Ahmadinexhad fitues me 62.6 përqind të votave.

Forcat speciale të policisë u vendosën rreth ndërtesave kryesore të qeverisë në të gjithë Teheranin para se të sulmonin mbështetësit e opozitës që protestonin kundër rezultateve të zgjedhjeve, duke i goditur ata me shkopinj gome dhe duke dëmtuar makinat e tyre.

Rivali kryesor i zotit Ahmadinexhad, ish kryeministri Mir Hosein Musavi, u ankua se votimet u shoqëruan nga parregullsi shumë serioze edhe para se qendrat e votimeve të mbylleshin në orët e vona të së premtes. Ai i quajti rezultatat e zgjedhjeve ‘të habitëshme’ dhe dënoi manipulimet zgjerore nga ana e qeverisë.

Sipas rezultateve zyrtare, zoti Ahmadinexhad ka fituar 24 milion vota ndërsa zotit Mir Hosein Musavi 13 milion. Rivalët e tjerë, Mohsen Rezai dhe Mehdi Karroubi u renditën mjaft prapa - asnjëri prej tyre nuk fitoi më shumë se 1 milion vota.

Presidenti Ahmadinexhad i tha televizionit iranian se ishte i kënaqur që shumica e votuesve e mbështetën atë.

Këshilltari i presidentit për shtypin, Ali-Akbar Javanfekr tha se rizgjedhja e zotit Ahmadinexhad përbën një “mbështetje të fuqishme për mënyrën se si qeveria i ka orientuar politikat e saj dhe, sipas tij, kjo ishte një “jo” e fuqishme ndaj armiqve të Iranit”.

Ndërkohë, kandidati reformist Mir Hosein Musavi, për të cilin shumë analistë parashikonin se do t’i fitonte zgjedhjet, tha se nuk do ta pranojë disfatën:

Ai theksoi se nuk do të dorëzohet përballë rezultateve “të rezikshme dhe të fabrikuara”, siç i quajti ai.

Ministri i Brendshëm Sadek Mahsuli u tha gazetarëve se rezultatet e zgjedhjeve ishin të pastra, pasi vëzhguesit “mes të cilëve kishte mësues dhe qytetarë të zakonshëm” ishin të pranishëm në të gjitha vendvotimet, veç vëzhguesve nga Këshilli i Gardianëve.

Zoti Mahsul la të kuptohet se ankesat ose kërkesat për rinumërim do të trajtohen nga Këshilli i Gardianëve. “Secili kandidat që ankohet”, tha ai, “duhet të paraqesë dëshminë e tij dhe ajo do të hetohet në bazë të ligjit.”

Një qytetar i Teheranit shprehu habi për rezultatet e zjedhjeve duke thënë se është i sigurt se zoti Musavi kishte fituar. “80-90 përqind e votuesve në Teheran favorizonin zotin Musavi” tha ai, duke shtuar se ai ishte tronditur kur kishte parë rezultatet zyrtare.

Udhëheqësi suprem i Iranit, Ajatollah Ali Kamenei, doli gjithashtu në televizion për të falenderuar iranianët që morën pjesë në votime dhe la të kuptohet se ishte i kënaqur me rezultatet:

Ai tha se donte të falenderonte secilin votues që mori pjesë në zgjedhje dhe se i dëshiron çdo të mirë popullit të Iranit pasi ai është mbrojtës i vendit.

Mbështetja për ish kryeministrin Mir Husein ishte mjaft e fuqishme në shumë qytete të Iranit dhe disa analistë parashikojnë përleshje të tjera pas disfatës së tij.

Por, Shefi politik i Gardës Revolucionare iraniane ka lenë të kuptohet se grupi i tij është i gatshëm të “shtypë” çdo revolucion kundër regjimit islamik të vendit. //ii

XS
SM
MD
LG