Lidhje

Izraeli, i shqetësuar rreth rezultatit të zgjedhjeve në Iran


Izraeli është i shqetësuar rreth rizgjedhjes së presidentit konservator iranian, Mahmoud Ahmadinexhad, duke thënë se kjo do të shtojë tensionet dhe paqendrueshmërinë rajonale.

Zëvendësministri i Jashtëm i Izraelit, Danny Ayalon nxori një deklaratë ku thuhet se rezultati i zgjedhjeve tregon që Irani do të vazhdojë përpjekjet për armë bërthamore. Ai tha se nëse më parë ekzistonte ndonjë grimcë shprese për ndryshim në Iran, zgjedhjet flasin për një rritje të kërcënimit iranian.

Zoti Ayalon i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar të ndërmarrë veprime më të ashpra për të ndalur programin bërthamor të Iranit dhe tha se me Republikën Islamike nuk duhet të ketë dialog.

Kjo ishte me sa duket një referencë e qartë për planet e Presidentit Barak Obama për të hapur bisedime me Iranin.

Analisti izraelit, Dore Gold thotë se, deri tani, Irani i ka shfrytëzuar negociatat me Perëndimin për të blerë kohë në mënyrë që të prodhojë bombën bërthamore.

"Kur të shtrëngohet puna, iranianët e dinë se ata do të jenë në gjendje ta realizojnë programin e tyre dhe Perëndimi vështirë se mund t’i ndalë dot. Ndërkohë, programi iranian po përparon me shpejtësi të plotë."

Presidenti iranian, Mahmud Ahmadinexhad ka kërcënuar se do ta fshijë nga harta shtetin hebraik prandaj rizgjedhja e tij i shton shanset e një goditjeje parandaluese që Izraeli mund të ndërmarrë ndaj objekteve bërthamore të Iranit.

"Izraeli nuk mund ta lejojë Iranin të ketë aftësi bërthamore operacionale dhe udhëheqësit izraelitë e kanë theksuar herë pas here këtë pikë."

Izraeli thotë se koha nuk pret. Sipas zbulimit ushtarak izraelit, Irani mund të zotërojë materialet dhe teknologjinë për ndërtimin e bombës bërthamore deri në fund të këtij viti.

Megjithëse Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli besojnë se Irani po përpiqet të krijojë armën bërthamore, zoti Ahmadinexhad ka përsëritur se programi bërthamor iranian është paqësor dhe synon prodhimin e energjisë për popullin iranian. Ai ka theksuar se asgjë nuk do t’i ndalë kërkimet bërthamore të Iranit. //ii

XS
SM
MD
LG