Lidhje

Kosova në prag të njëvjetorit të Kushtetutës


Kosova nesër shënon njëvjetorin e hyrjes në fuqi të Kushtetutës së saj. Në këtë shënim pritet të marrin pjesë edhe krye negociatori i Kombeve të Bashkuara Martti Ahtisaari, zëvendësi i tij Albert Rohan si dhe i dërguari amerikan Frank Wisner dhe ish i dërguari i Bashkimit Evropian në negociatat për statusin e Kosovës, Wolfgang Ischinger. Hyrja në fuqi e kësaj kushtetute ishte vlerësuar si nga ngjarjet më të rëndëishme për Kosovën pas shpalljes së pavarësisë më 17 shkurt të vitit 2008.

Por, zbatimi i kësaj kushtetute edhe më tej është çështje debatesh në vend. Analistët kanë mendime të ndryshme rreth shkallës së këtij zbatimi dhe funksionalizimit të saj. Politologu Ramush Tahiri thotë se Kushtetuta e Kosovës e ka veçorinë e saj se e nënkupton planin e krye negociatorit Martti Ahtisaarit, mbi bazë të të cilit është shpallur edhe pavarësia e vendit. “Dhe kjo flet se Kosova e ka sovranitetin e munguar për derisa ekziston marrëveshja ndërkombëtare të themi e sublimuar në pakon e Ahtisaarit , duhet pritur që para integrimeve Evropiane ose para procesit në integrimin në Bashkimin Evropian Kosova të heq këtë mangësi d.m.th ta heq pakon e Ahtisaarit dhe ti aplikojë si nene Kushtetuese parimet e pakos së Ahtisaarit”, tha zoti Tahiri


Analisti Driton Lajçi, ligjërues i Universitetit të Merilendit në kampin e forcave paqeruajtëse amerikane në Bondsteel thotë se një nga dobësitë e Kushtetutës është zbatimi i saj për shkak të fakti se veçori të Kushtetutës janë përkthyer nga sistemet kushtetuese të vendeve të tjera dhe janë injoruar veçoritë e vendit. Arsye tjetër e moszbatimit është problemi me shpenzimet. “Dobësia e tretë e cila është shumë e rëndësishme se Kushtetuta nuk është duke u zbatuar në gjithë territorin e Kosovës sidomos në veriun e lumit Ibër edhe pse është përpjek që të ndihmohet implementimi i saj edhe nga faktori ndërkombëtar, vet EULEX-i nuk po arrin që të zbatoj autoritetin e vet në veriun e lumit Ibër ”, tha zoti Lajçi


Sipas analistit Tahiri, ne veri sfidohet kushtetuta e vendit, por ajo megjithatë funksionon. “Po edhe në veriun e vendit sepse kemi policin d.m.th kemi doganat, administratën është ajo që zbatohet në gjithë dhe nuk kemi të themi struktura të huaja brenda atij territori, nuk kemi ushtria e as polici të huaj që punon legalisht e as administratë të huaj që punon legalisht ndërsa ajo që thuhet janë probleme real se janë strukturat ilegale dhe paralele nuk është çështje e Kushtetutës është çështje e vendimeve e ligjeve konkrete që duhet ti ndërmerr qeveria, pasi jemi ende në një mbikëqyrje ndërkombëtare duhet me zyrën civile ndërkombëtare që është këtu dhe me përfaqësues tjerë të KFOT-it”, tha zoti Tahiri


Zoti Lajci thotë ndërkaq se vështirësitë me zbatimin e Kushtetutës çojnë në nevojën e ndryshimit të saj në të ardhmen. “Sepse siç e thash ajo duhet të korrespondoj me specifikat e nevojat e qytetarëve të Kosovës me ambiciet, planet vizionin e njerëzve të saj sepse Kushtetuta miratohet që të jetë në shërbim të njerëzve dhe ta respektojnë, nëse ka hendek në mes të Kushtetutës si akti më i lartë juridik e politik i njerëzve atëherë vihet deri te mos respektimi i saj, mosrespektimi i sundimit të ligjit, hapet dera për keqpërdorime të ndryshme të të gjitha niveleve prej lidershipit e deri te qytetari më i thjesht”, tha zoti Lajçi


Kushtetuta e Kosovës është miratuar pa debate në Parlamentin e vendit në prill të vitit të kaluar sikurse edhe të gjitha ligjet që dalin nga plani i zotit Martti Ahtisaari. Ajo kundërshtohet ashpër nga serbët e Kosovës dhe Beogradi të cilët nuk pajtohen me pavarësinë e shtetit të ri, të cilën e kanë njohur deri tash 60 vende të botës. //mm//






XS
SM
MD
LG