Lidhje

Ahtisari: Pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme


Ish krye negociatori ndërkombëtar për statusin e Kosovës, Martti Ahtisaari, tha sot se pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme dhe dëshmi për këtë është njohja e saj nga shumë vende të botës. Ai i bëri këto komente në Prishtinë duke hedhur poshtë çdo mundësi të ri negocimit të planit të tij për statusin e Kosovës.

Zoti Ahtisaari po qëndron në Prishtinë me rastin e njëvjetorit të hyrjes në fuqi të Kushtetutës së Kosovës, që nga autoritetet është vlerësuar si një nga ngjarjet më të rëndësishme pas shpalljes së pavarësisë së vendit më 17 shkurt të vitit 2008. Ai u bëri thirrje udhëheqësve të vendit që të vazhdojnë me përmbushjen e përgjegjësive që dalin nga plani i tij posaçërisht për respektimin e të drejtave të komuniteteve,por kërkoi edhe prej këtyre te fundit që të jenë pjesë e procesit politik. "Për të krijuar një shoqëri shumetnike kjo kërkon atë që ne e themi duhet dy veta për tango. Ju nuk mund të vallëzoni tangon vetëm, është shumë më mirë nëse ju keni partner dhe kështu pra edhe bashkëpunimi është shumë me rëndësi, pra pjesëmarrja e pakicave në shoqëri", tha presidenti Ahtisaari i cili hodhi poshtë çdo mundësi për ri negocimin e planit të tij për statusin e Kosovës, i cili vazhdon të kundërshtohet nga qytetarët serbë në Kosovë... " Absolutisht JO", tha prerazi ish ndërmjetësi i OKB-së për statusin e Kosovës, plani i të cilit çoi në shpalljen e pavarësisë.

Sipas zotit Ahtisaari, gjëja kryesore që duhet t'u ndodh vendeve të Ballkanit është integrimi i tyre në Bashkimit Evropian. Ai madje shtoi se vet prania e Misionit të EULEX-it shënon përparim në këtë aspekt dhe e shkurton trashëgiminë e Misionit të Kombeve të Bashkuara… "Rezoluta 1244 nuk ekziston më sepse e kemi misionin e Bashkimit Evropian këtu. Ne do të shohim në vitet në vazhdim që prania ndërkombëtare do të reduktohet. Gjëja kryesore është bashkëpunimi ndërmjet qeverisë dhe autoriteteve ndërkombëtare dhe unë shoh se ka një bashkëpunim të mirë ndërmjet tyre".

Në një fjalim në Parlamentin e Kosovës, ish ndërmjetësi i OKB-së për statusin e Kosovës, Martti Ahtisaari tha se pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme por ai tërhoqi vërejtjen se institucionet e Kosovës tani duhet të përqendrohen më shumë në reformimin e sistemit të drejtësisë, në shtimin e transparencës dhe në mbrojtjen e pakicave. Ish ndërmjetësi i OKB-së për statusin e Kosovës Martti Ahtisaari, u dekorua me medaljen e artë të pavarësisë nga presidenti i vendit për rolin e tij në zgjidhjen e çështjes së Kosovës.

Në njëvjetorin e hyrjes në fuqi të Kushtetutës, udhëheqësit politikë të Kosovës thonë se ajo është një kushtetutë bashkëkohore që garanton trajtim të barabartë të të gjithë qytetarëve të saj, pa dallim përkatësie etnike. Por ata pranojnë se sfida më e madhe është zbatimi i Kushtetutës në zonat e banuara me pjesëtarë të komunitetit serb, posaçërisht në veriun e vendit skenë e kundërshtimeve më të ashpra ndaj pavarësisë së Kosovës.//rd//


XS
SM
MD
LG