Lidhje

Serbia dhe Kosova shkëmbejnë akuza në Këshillin e Sigurimit


Ministri i Jashtëm i Kosovës dhe ai i Serbisë shkëmbyen akuza të ashpra në një takim të Këshillit të Sigurimit për të shqyrtuar gjendjen në Kosovë.

Ministri i Jashtëm serb Vuk Jeremiç tha në komentet e tij se sipas shifrave të Komisionerit të Lartë të OKB-së për refugjatët, mbi 200 mijë serbë ende nuk janë kthyer në shtëpitë e tyre, ndërsa vitin e kaluar u kthyen vetëm 500.

Por më e rëndësishmja, tha ai, është se nga të zhvendosurit serbë janë bërë më tepër se 40 mijë kërkesa për kthimin e pronave të uzurpuara ilegalisht dhe ata nuk kanë marrë përgjigje.

Ministri i jashtëm i Kosovës, Skënder Hyseni, i hodhi poshtë akuzat e zotit Jeremiç si dhe shifrën prej 40 mijë kërkesa për kthime pronash duke i quajtur ato “fantazira”. Ai tha se Beogradi bën lojë me numrat.

Në një intervistë për Zërin e Amerikës, ministri i Jashtëm i Kosovës tha se në fakt Serbia e pengon vetë kthimin e të zhvendosurve serbë në Kosovë për t’i treguar bashkësisë ndërkombëtare se Kosova nuk po i kryen detyrimet e saj. “Kjo bëhet në mënyrë sistematike” nga Serbia, tha ministri i Jashtëm Hyseni.

Zoti Hyseni tha se Kosova është e angazhuar për kthimin e çdo personi të zhvendosur dhe se të gjitha pretendimet për prona do të marrin përgjigje.

Zëvendësambasadorja amerikane në Kombet e Bashkuara, Rozmari DiKarlo i bëri thirrje qeverisë së Kosovës të shpejtojë kthimin e të zhvendosurve.

“Është lajm pozitiv, tha ajo, se ritmet e kthimit të serbëve në Kosovë janë shtuar por ende janë në nivele të papranueshme.”

Zonja DiKarlo mirëpriti deklaratën e Kryeministrit Hashim Thaçi, i cili ka shprehur mirëseardhje për të gjithë serbët të cilët duan të kthehen në Kosovë.

Në pozicione të kundërta ishin dy ministrat edhe për çështjen e rikonfigurimit të UNMIK-ut, misionit të OKB-së në Kosovë. Zoti Jeremiç i tha Këshillit të Sigurimit se prania e UNMIK-ut duhet të vazhdojë dhe buxheti i tij të mos shkurtohet.

Ministri Hyseni tha se me vendosjen e pranisë së misionit europian EULEX në Kosovë, UNMIK-u e ka kryer rolin e tij. Zoti Hyseni i tha Zërit të Amerikës se nuk kanë mbetur më funksione të cilat mund t’i kryejë vetëm UNMIK-u.

“Nuk mund të qendrojnë shumë prani ndërkombëtare në të njëjtat mandate,” tha ai.

Gjatë 3 muajve që kanë kaluar nga mbledhja e fundit e Këshillit të Sigurimit për Kosovën, numri i vendeve që kanë njohur shtetin e ri është shtuar. Prishtina ka marrë anëtarësimin në Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe pret votën për t’u anëtarësuar në Bankën Botërore.

Zonja DiKarlo tha se anëtarësimi në këto dy institucione do ta ndihmojë Kosovën t’u japë stabilitet dhe begati të gjithë qytetarëve të saj dhe ta integrojë vendin në sistemin ndërkombëtar financiar.

Të gjitha zhvillimet e deritanishme në Kosovë, tha diplomatja amerikane, janë në përputhje me vizionin e planit Ahtisari.

Ajo kritikoi Beogradin duke thënë se për fat të keq, autoritetet serbe vazhdojnë të bllokojnë hyrjen e mallrave në Kosovë.//ii

XS
SM
MD
LG