Lidhje

Krijime të Da Vinçit të ekspozuara në Kaliforni


Leonardo Da Vinçi njihet për talentin e tij si shkencëtar, matematicin, inxhiner, piktor, skulptor, arkitekt, muzikant dhe shkrimtar. Për të kujtuar këtë njeri gjenial, Muzeu i Firences, ku gjendet shumica e krijimeve të Da Vinçit, i ka huazuar Muzeut të Brisbejnit në Kaliforni disa nga punimet e tij.

Në ekspozitë janë vendosur 60 makineri të ndryshme, që janë ndërtuar bazuar mbi skicat e Da Vinçit. Makinat janë ndërtuar nga artizanët e njohur venecianë. Da Vinçi ka lënë një trashëgimi prej 14 mijë skicash teknike. Në ekspozitën e Brisbejnit janë ekzpozuar 100 prej tyre, përfshi parashutën, deltaplanin dhe principin e tij të helikopterit.

Po ashtu është ekspozuar skica e Da Vinçit për biçikletën, që ishte lënë në harresë për 300 vjet. Zinxhiri i biçikletës së projektuar nga Da Vinçi luajti një rol të rëndësishëm në revolucionin industrial, por ajo që i mungonte krijimeve të tij mekanike, ishin metalet e zakonshme në ditët tona, si alumini, apo titani.

Leonardo Da Vinçi shpiku makina lufte moderne, por ai pikturoi kryevepra për të siguruar jetesën. Ai i dha artit elementin shkencor, duke punuar me kujdes harkun e krahëve të engjëjve, për shembull. Da Vinçi, një nga njerëzit më krijues të të gjitha kohërave, ishte njeri jashtëzakonisht praktik. Mes zbulimeve të tij ishte edhe një qiri-orë, djegija e të cilit ishte llogaritur me kohën. Ekspozita e Da Vinçit në Kaliforni do të qëndrojë e hapur deri në fillim të shtatorit.

XS
SM
MD
LG