Në Iran, sot pritet një ditë tjetër protestash pas thirrjes që bëri kandidati i opozitës Mir Hosein Musavi për një ditë zije në kujtim të atyre që humbën jetën gjatë trazirave paszgjedhore.
Në një informacion të publikuar në faqen e tij të internetit, zoti Musavi u kërkonte përkrahësve të tij të mblidhen për marshime paqësore si dhe nëpër xhami. Irani ka konfirmuar se 7 protestues u vranë të hënën në përleshjet me milicinë proqeveritare. Organizata e të drejtave të njeriut Amnesty International thotë se janë vrarë 15 persona.
Disa dhjetra mijëra përkrahës të opozitës marshuan dje në heshtje nëpër rrugët e Teheranit, shumë prej tyre të veshur me ngjyrë të gjelbër, që është ngjyra e fushatës së zotit Musavi. Marshuesit mbanin pankarta por qendruan në heshtje për të theksuar temën paqësore të demonstratave.
Rezultatet zyrtare të zgjedhjeve i japin një fitore të thellë në zgjedhjet presidenciale të së premtes Presidentit të tanishëm Mahmud Ahmadinexhad. Akuzat se votimet mund të kenë qenë manipuluar janë bërë shkak për trazira, më të mëdhatë që po përjeton vendi që nga Revolucioni Islamik i vitit 1979.
Demonstrata të mëdha janë mbajtur edhe nga grupe që mbështesin zotin Ahmadinexhad.