Lidhje

Vendet perëndimore mohojnë akuzat e Iranit për nxitje të dhunës


Vendet perëndimore mohuan prerë akuzat e qeverisë iraniane se ato po nxisin dhunën pas zgjedhjeve në Iran.

Ministri i Jashtëm britanik, David Miliband, tha sot se ai hedh poshtë kategorikisht idenë se vendet e huaja po manipulojnë protestuesit në Iran.

Kryetarja e komisionit të senatit amerikan për çështjet e zbulimit, senatorja Dajanë Fainstein, tha gjithashtu se me sa di ajo, “nuk ka pasur manipulim të njerëzve pas zgjedhjeve”.

Sot, Irani dëboi korrespondentin e përhershëm të BBC-së në Teheran pasi fajësoi këtë transmetim britanik si edhe Zërin e Amerikës për “nxitje të protestave pas zgjedhjeve”.

Drejtori i Zërit të Amerikës, Dan Austin, hodhi poshtë akuzat e Iranit, duke thënë se “Zëri i Amerikës po punon shumë për t’u dhënë njerëzve në Iran lajme dhe informacione të sakta, të gjithanshme dhe të besueshme”.

Ai i bëri gjithashtu thirrje qeverisë së Iranit që t’u japë fund përpjekjeve “për të kufizuar lirinë e informimit për qytetarët e vet”. Ka njoftime se Irani ka bllokuar transmetime të Zërit të Amerikës.

QINDRA DEMONSTROJNË NË EUROPË DHE SHBA

Qindra njerëz u mblodhën dje në vende të ndryshme të Europës si dhe në Shtetet e Bashkuara për të treguar solidaritetin e tyre me protestat e opozitës në Iran.

Udhëheqësit perëndimorë ndërkohë bënë thirrje që qeveria iraniane të tregohet e përmbajtur në reagimin e saj ndaj demonstratave.

Në Gjermani, disa qindra njerëz, mes tyre edhe iranianë, marshuan nëpër rrugët e Berlinit duke kërkuar hetime rreth akuzave për manipulime në zgjedhjet parlamentare të Iranit.

Kancelarja gjermane, Angela Merkel tha se Gjermania është në anën e popullit iranian. Ajo i bëri thirrje qeverisë së Iranit të lejojë demonstratat paqësore.

Në Francë, demonstruesit u mblodhën përballë ambasadës iraniane për të protestuar kundër dhunës në Iran.

Presidenti francez, Nikola Sarkozi kritikoi ashpër shtypjen e protestave nga qeveria duke thënë se kjo është e pajustifikueshme.

Ministri i jashtëm italian Franco Frattini i kërkoi qeverisë së Iranit të marrë masa menjëherë për të gjetur një zgjidhje paqësore të krizës së brendshme. Ndërsa një zëdhënës i ministrisë së jashtëme spanjolle tha se autoritetet iraniane duhet ta zgjidhin çështjen e manipulimit të votimeve me transparencë të plotë.

Dje demonstruesit u mblodhën edhe në nju Jork, një ditë pasi Presidenti Barak Obama i bëri thirrje qeverisë së Iranit “të ndalë çdo veprim të dhunshëm dhe të padrejtë kundër popullit të vet”, reagimi më i fortë deri tani i zotit Obama ndaj trazirave në Iran.

Zyrtarë të Shtëpisë së Bardhë thanë se Presidenti u takua përsëri dje me këshilltarët e politikës së jashtëme për t’u informuar mbi gjendjen në Iran. //mm



XS
SM
MD
LG