Lidhje

Tension dhe trazira në Iran


Dëshmitarë okularë në Teheran thonë se policia iraniane shpërndau një grup prej disa qindra protestuesish, që filluan të grumbulloheshin sot. Demonstruesit e opozitës ishin mbledhur në Sheshin Haft-e-Tir në qendër të Teheranit, përballë një pranie të madhe policore. Sipas disa dëshmitarëve, policia përdori gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën.

Më parë sot, Garda Revolucionare paralajmëroi se do të përdorte forcën për të shpërndarë protestuesit. Radioja shtetërore iraniane njoftoi sot se të shtunën e kaluar u arrestuan të paktën 475 vetë, për pjesëmarrje në demonstrata me dhunë, që çuan në vdekjen e 10 vetëve. Ndërkaq, numri zyrtar i të vrarëve ka arritur në 17 vetë.

Media iraniane njofton, ndërkohë, se Këshilli i Gardianëve në Iran ka thënë se janë vërejtur parregullsi në një numër qytetesh. Zëdhënësi i Këshillit tha se numri i përgjithshëm i pjesëmarrësve në votim në 50 qytete e tejkalon numrin e personave me të drejtë vote dhe mbi 3 milion votues mund të jenë në pikëpyetje.

Ministria e jashtme iraniane akuzoi sot mediat e huaja dhe qeveritë perendimore se po përhapin anarki dhe vandalizëm në përpjekje për të minuar qeverinë e Iranit.

"Irani ka një kapacitet të lartë demokratik për të zgjidhur situatat e brendshme. Përhapja e anarkisë dhe vandalizmit nga fuqitë dhe mediat perendimore nuk është aspak e pranueshme nga ne", tha zëdhënësi Hasan Kashkavi.

Qytetet iraniane ishin skenë e protestave masive javën e kaluar me të paktën 10 të vdekur të shtunën.

Vrasje e çuan numrin e viktimave në të patën 17 pas një jave demonstratash nga protestuesit që thonë se presidenti Mahmoud Ahmadinejad i fitoi zgjedhjet përmes manipulimeve.

Por imazhet dhe dëshmitë e vendosura në internet çojnë në përfundimin se numri i viktimave mund të jetë më i lartë.

Udhëheqësi i opozitës iraniane Mir Hosein Mousavi premtoi mbrëmë të vazhdojë presionin në një sfidë ndaj urdhërit të udhëheqësit suprem të vendit, por nuk ishte e qartë sot nëse protestuesit do të guxojnë të vazhdojnë demonstratat masive pas shtypjes së përgjakshme nga sigurimi gjatë fundjavës.

Përmes faqjes elektronike zoti Mousavi u bënë thirrje përkrahësve të ndezin dritat e makinave në shenjë proteste, një rezistencë e heshtur krahasuar me grumbullimet masive kohët e fundit.

Kjo lëvizje vjen pasi forca më e fuqishme e sigurisë në Iran kërcënoi sot të shtypë protestat e mëtejshme të opozitës, duke i paralajmëruar demonstruesit të përgatiten për një konfrontim revolucionar nëse dalin përsëri në rrugë.

Policia tha se 457 vetë u arrestuan sot, pa një shifër të saktë për arrestimet e bëra gjatë javës së trazirave.

Gazetarëve të mediave të huaja u janë vënë kufizime të rrepta dhe vlerësimi i situatës është i vështirë.

Irani është temë veçanërisht delikate për agjencitë e huaja të lajmeve që transmetojnë në gjuhën farsi.

"Këto kanale kanë krijuar një fushatë psikologjike lufte. Zyrtarët e BBC-së dhe Zërit të Amerikës në gjuhën perse janë pasues të besimit Bahai. Identiteti i tyre është i qartë, ata janë pasuesit e Netanjahut dhe Liebermanit", tha zëdhënësi.

Shumë faqe të internetit janë bllokuar.

Ndërkohë Këshilli i Gardianëve që ra dakort javën e kaluar të hetojë ankesat për votimet, tha sot se janë gjetur parregullsi në 50 qendra por kjo nuk ndikon në fitoren e Ahmadinexhadit.

Protestues me pankarta dhe veshur me ngjyrë të gjelbërt në mbështetje të udhëheqësit të opozitës Mir Hosein Mousavi zgjuan dje shëtitoren Pensilvania këtu në Uashington. Dhjetra protestues u mblodhën dje para Shtëpisë së Bardhë për të treguar mbështetjen e tyre për demonstratat në Teheran. Presidenti Barak Obama i ka ashpërsuar ndërkohë përgjigjet e tij, ndërsa përpiqet të mos i japë udhëheqjes teokratike iraniane mundësinë për të fajësuar Shtetet e Bashkuara për trazirat. //rd//

XS
SM
MD
LG