Lidhje

Administrata Obama mbron qëndrimin për krizën në Iran


Zyrtarët e lartë të administratës Obama e mbrojtën të hënën qëndrimin e Shteteve të Bashkuara ndaj krizës që pasoi zgjedhjet në Iran, mes kritikave që Presidenti Obama nuk është shprehur me aq forcë për këtë çështje. Shtëpia e Bardhë tha se shtypja e protestuesve në Iran nuk është e drejtë, pas thirrjes së Presidentit ndaj autoriteteve të Teheranit gjatë fundjavës për t’i dhënë fund dhunës.

Zyrtarët e administratës po përsërisin thirrjen për një zgjidhje të drejtë dhe jo të dhunshme të konfliktit mbi zgjedhjet në Iran, ndërsa theksuan vendosmërinë për të mos lejuar Teheranin që ta përdorë emrin e Shteteve të Bashkuara për konfliktin politik të vendit.

Administrata ka mbajtur një qëndrim të matur ndaj krizës, megjithëse Presidenti Obama e ashpërsoi disi retorikën të shtunën pas skenave të kaosit në Teheran transmetuar në ekranet televizive. Ai i bëri thirrje qeverisë iraniane që t’u japë fund të gjitha veprimeve të dhunshme dhe të padrejta kundër popullit të vet dhe të respektojë të drejtat e grumbullimit dhe lirisë së shprehjes.

Të hënën, Shtëpia e Bardhë tha se është e qartë nga rrjedha e ngjarjeve se “drejtësia nuk është vënë në vend”.

Zyrtarët në Departamentit e Shtetit kanë shprehur shqetësimin se një reagim më agresiv do t’i nxiste edhe më tej akuzat nga ana e Iranit për ndërhyrje të Shteteve të Bashkuara.

Kritikët e Shteteve të Bashkuara, mes së cilëve edhe ish-kandidati republikan për President, Xhon Mekein kanë thënë se Shtëpia e Bardhë ka qenë shumë e rezervuar. Senatori Mekein ka thënë se ky reagim është një tradhëti ndaj parimeve themeluese të Amerikës.

Megjithatë në një konferencë shtypi me Ministrin e Jashtëm të Gjeorgjisë, Grigol Vashaxe, nënsekretari i shtetit Xhejms Stainberg e hodhi poshtë idenë se administrata po qëndron e tërhequr para situatës në Iran. Ai tha se qëndrimi i kujdesshëm i Presidentit ka mbështetje nga të dyja palët.

"Mendoj se ka pasur një numër zërash me peshë, si republikanë edhe demokratë, që e kanë pranuar, siç ka thënë presidenti se kjo është një çështje që u takon Iranit dhe iranianëve ta vendosin. Presidenti e bëri shumë të qartë se ne jemi të shqetësuar nga dhuna. Ne mendojmë se është shumë e rëndësishme që të kuptohet se nëse kjo është një çështje që duhet zgjidhur nga iranianët, atëherë duhen dëgjuar të gjitha zërat, që procesi të jetë i drejtë dhe që njerëzit duhet të lejohen të shprehin mendimet e tyre. Dhe mendoj se kjo është një çështje që nuk ka të bëjë me përkatësinë partiake”.

Zoti Stainberg zëvendësonte në konferencë, Sekretaren e Shtetit Hillari Klinton që bëri një operacion të premten pas një frakture në bërrylin e djathtë.

Ai konfirmoi se ishte operacioni që e kishte detyruar zonjë Klinton të anullonte planet për të marrë pjesë në takimet e kësaj jave tek të cilat besohet se kriza në Iran do të jetë një nga çështjet kryesore. Bëhet fjalë për një takim të Ministrave të Jashtëm të grupit të tetëshes në Trieste të Italisë dhe një konferencë jozyrtare e ministrave të jashtëm të OSBE-së në Korfuz të Greqisë.

Por Sekretarja Klinton ka vazhduar intensivisht përpjekjet diplomatike përmes bisedave telefonike mbi Iranin, mes të tjerëve me Sekretarin e Jashtëm britanik Dejvid Milibend, qeveria e të cilit ashtu si edhe ajo e Shteteve të Bashkuara është akuzuar nga autoritetet iraniane për ndërhyrje në krizë. //kk//
XS
SM
MD
LG