Lidhje

SHBA tërheq ftesat për diplomatët iranianë


Administrata Obama tërhoqi ftesat dërguar diplomatëve iranianë për të marrë pjesë në festimet e Ditës së Pavarësisë në ambasadat amerikane

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë Robert Gibs tha se ftesat për festimet e 4 korrikut u tërhoqën për shkak të reagimit të dhunshëm të Iranit ndaj protestave pas zgjedhjeve presidenciale.

Dje, Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillari Klinton udhëzoi diplomatët amerikanë dhe punonjësit e Departamentit të Shtetit jashtë vendit që të tërheqin ftesat e mëparshme dorëzuar diplomatëve iranianë.

Zonja Klinton tha se “për fat të keq, rrethanat kanë ndryshuar dhe pjesmarrja e diplomatëve iranianë nuk do të ishte me vend" po të kihen parasysh “veprimet e padrejta” në Iran. Sekretarja e Shtetit tha se ajo dhe presidenti Barak Obama i kanë dënuar këto veprime.

Në njoftime të tjera, një zyrtar amerikan konfirmoi se në fillim të muajit maj, rreth një muaj përpara zgjedhjeve të debatueshme të 12 qershorit në Iran, President Obama i dërgoi një letër udhëheqësit suprem, Ajatollah Ali Khamenei, ku përsëriste interesimin amerikan për të përmirësuar marrëdhëniet.

Khamenei e përmendi letrën gjatë një predikimi që mbajti të premten e kaluar ku akuzoi Shtetet e Bashkuara se kanë ndihmuar për të nxitur protestat në vendin e tij.

XS
SM
MD
LG