Lidhje

Xhekson - Familja mund të kërkojë një autopsi të dytë


Familja e yllit të muzikës pop Michael Jackson i cili vdiq papritur të enjten mund të kërkojë një autopsi të dytë.

Politikani i njohur amerikan dhe aktivisti Jesse Jackson i cili nuk është i afërm i familjes së këngëtarit i tha kanalit televiziv ABC se kishte kaluar ditën e premte duke ngushëlluar familjen Jackson. Ai tha se familja është e zemëruar që shkaku i vdekjes së tij nuk është përcaktuar ende.

Zyra e autopsisë së Los Angelosit tha se mund të duhen javë para se të dihet shkaku i vdekjes së këngëtarit.

Policia kishte në plan të intervistonte mjekun personal të këngëtarit, doktor Conrad Murray. Autoritetet po kontrollonin makinën e mjekut si pjesë të hetimit që kanë ndërmarrë për vdekjen e këngëtarit.

Të premten, zyra e autopsisë në Los Anxhelos ia ktheu trupin e Majkëll Xheksonit, familjes së tij. Planet e varrimit ende nuk janë bërë.

Ndërkohë, në të gjithë globin po kujtohet trashëgimia e lënë pas nga një karrierë prej disa dekadash.

BOTA REAGON NDAJ VDEKJES SË LEGJENDËS SË POPIT

Adhurues të shumtë e personalitete të famshme të botës së spektaklit po japin lamtumirat e fundit për Majkëll Xheksonin, i cili vdiq këtë të enjte papritur në moshën 50 vjeçare në Los Angeles.

Njerëz të shumtë kanë vendosur lule apo objekte të vogla kujtimi në vende të cilat kanë qënë me rëndësi në jetën e Majkëll Xheksonit, si për shëmbull në shtëpinë e fëmijërisë së tij në Indiana, mbi yllin me emrin e tij në bulevardin Hollywood Walk of Fame, apo në teatrin legjendar Apollo, në Harlem të New York City-it.

Radiot kanë transmetuar pa ndërprerje këngët e legjendës pop, të cilat burojnë nga një hark i gjerë i disa gjeneratave. Faqet e internetit kanë qënë të mbushura me komente nga më të ndryshmet.

Po ashtu gazetat në të gjithë botën e kanë vendosur lajmin e vdekjes së Majkëll Xheksonit në faqen e parë, e të gjitha stacionet televizive kanë ndërprerë programet e tyre normale, për të mbuluar këtë ngjarje. Adhurues të ndryshëm kanë improvizuar shfaqje kërcimi nëpër rrugë në kujtim të Majkëll Xheksonit.

Që nga Britania, Japonia, Liberia e deri në Kinë, adhuruesit e tij kanë shprehur keqardhje e hidhërim për vdekjen e papritur të idhullit të tyre. Edhe pse me shumë probleme financiare e ligjore, Majkëll Xhekson vazhdonte të ishte tepër i dashur nga publiku i cili po priste me padurim rikthimin e tij në skenë. Në korrik ai kishte planifikur një seri shfaqjesh në Londër, të cilat ishin shitur prej kohesh.


Dje ligjëvënësit e Kongresit amerikan, e kujtuan me respekt këngëtarin e famshëm, i njohur ndryshe nga të gjithë si Mbreti i Popit.

Legjenda e muzikës Kuinsi Xhons, producent i albumit Thriller, tha se Majkëll Xheksoni ishte si një anëtar i familjes së tij. Me vdekjen e Majkëllit, tha Xhons, ai humbi “ një vëlla të vogël” e së bashku me të edhe një pjesë të shpirtit të tij.
Lisa Mari Presli, ish gruaja e këngëtarit si dhe vajza e legjendarit të rokut Elvis Presli, tha se ishte tepër e hidhëruar, “shumë e mërzitur dhe e hutuar nga emocionet e mëdha që ndjen njëherësh”.

Në një deklaratë të lëshuar nga Madona, thuhej se ajo nuk rresht dot së qari nga ky lajm. Ndërsa përfaqësues të aktores legjendare Elizabet Tejlor, e cila ishte një mike e ngushtë e Xheksonit, thanë se ajo ishte tepër “e lënduar” për të lëshuar një deklaratë formale.

Xhekson e filloi karrierën e tij muzikore si një yll i muzikes Pop, që herët kur ishte akoma fëmijë, si anëntar i grupit Jackson 5 sëbashku me vëllezërit e tij. Ky ishte fillimi i një karriere që vazhdoi me dekada të tëra, duke arritur maja tepër të larta por edhe duke kaluar momente të vështira, që kanë përfshirë edhe akuza për ngacmim fëmijësh.

Kitaristi Legjendar Eddie Van Halen i cili ka luajtur në hitin e Xheksonit “Beat It” tha se bashkëpunimi me Xheksonin është një nga kujtimet më të bukura të karrierës së tij. Guvernatori i Kalifornisë, Arnold Shvarceneger tha se fama e Xheksonit “ishte e shtrirë në shumë dekada e pothuajse në tërë globin".

XS
SM
MD
LG