Lidhje

Saad Hariri emërohet në postin e Kryeministrit të Libanit


Saad Hariri është emëruar si kryeministri i ri i Libanit, duke marrë përsipër një post që dikur e mbante babai i tij, Rafik Hariri, i cili u vra në vitin 2005.

Presidenti libanez Mishel Sulejman e caktoi në detyrë zotin Hariri sot, pasi një shumicë ligjvënësish e kishin emëruar atë.

Duke folur në pallatin presidencial, zoti Hariri premtoi të punonte për të shëruar ndarjet mes fraksioneve politike rivale të Libanit dhe për formimin e një qeverie uniteti.

39-vjeçari Saad Hariri kryeson një parti pro-perëndimore e cila fitoi zgjedhjet në fillim të këtij muaji. Një koalicion i kryesuar nga Hezbollahu, i cili mbështetet nga Irani dhe Siria, ka numrin e dytë më të madh të vendeve në parlamentin 128-anëtarësh të Libanit.

Zoti Hariri dhe udhëheqësi i Hezbollahut Hasan Nasrallah kanë premtuar të bashkëpunojnë në krijimin e një qeverie uniteti. Por zoti Hariri thotë se nuk do ta lejojë aleancën e Hezbollahut të ketë të drejtën e vetos nga e cila kishte përfituar gjatë kabinetit të mëparshëm. //iç//

XS
SM
MD
LG