Lidhje

Ahmadinexhad: SHBA po ndërhyjnë në punët e brendshme të Iranit


Presidenti i Iranit, Mahmud Ahmadinexhad, përsëriti kritikat e tij ndaj Presidentit amerikan, Barak Obama, duke thënë se Shtetet e Bashkuara po ndërhyjnë në punët e brendshme të Iranit.

Agjencia zyrtare iraniane e lajeve, IRNA, citoi sot udhëheqësin e vendit, i cili ka thënës se zoti Obama flet për ndryshime, por vazhdon të ndërhyjë në çështjet e Iranit.

Dje në Shtëpinë e Bardhë, Presidenti Obama e quajti “indinjuese” dhunën paszgjedhore kundër protestuesve në Iran. Ai tha gjithashtu se çdo dialog dhe diplomaci e drejtpërdrejtë me Iranin do të ndikohet nga ngjarjet e fundit.

Ministria e Jashtme e Iranit u shpreh ndërkohë kundër deklaratës së vendeve të industrializua të Grupit të Tetëshes, G-8, që dënon dhunën në Iran dhe u bën thirrje autoriteteve iraniane të respektojnë të drejtat e njeriut dhe lirinë e fjalës. Një zëdhënës i ministrisë u citua nga agjendia IRNA të ketë akuzuar G8-n për ndërhyrje në punët e brendëshme të Iranit dhe për “deklarata të nxituara”.

Demostratat masive nëpër rrugë që pasuan rezultatin e kontestuar të zgjedhjeve, në pjesën më të madhe të tyre janë qetësuar pas qindra arrestimeve dhe pranisë tejet të dukshme të policisë që vazhdon nëpër rrugë.

Numri zyrtar i të vdekurve si pasojë e dhunës pas zgjedhjeve të debatueshme të 12 qershorit është 17, por dëshmitarë okularë thonë se shifra e vërtetë është shumë më e lartë. //mm//

XS
SM
MD
LG