Lidhje

Hyseni: Arritjet dhe sfidat e Kosovës një vit e gjysëm pas pavarësisë


Një vit a gjysëm pas pavarësisë së saj, Kosova ka shënuar arritje por edhe ka hasur sfida. Ministri i Jashtëm i Kosovës, zoti Skënder Hyseni bëri një përmbledhje të tyre dje gjatë një konference në Klubin Kombëtar të Shtypit këtu në Uashington. Mes tjerash, zoti Hyseni theksoi rëndësinë e anëtarësimit të Kosovës në dy institucione të rëndësishme financiare ndërkombëtare, të cilat, sipas tij, do të kontribuojnë në njohjen e mëtejshme të shtetit të Kosovës.

Pavarësia e Kosovës është njohur deri tani nga 60 vende të botës, megjithatë Ministri i Jashtëm i vendit, z. Skënder Hyseni, thotë se qeveria po punon në të gjitha rrafshet për njohje të mëtejshme nga vendet e tjera. Ai përmend arritjet e Kosovës pas pavarësisë, duke përfshirë stabilitetin rajonal si një arsye për nxitjen e këtij procesi. Lobizmi për njohjen e shtetit më të ri vazhdon, qoftë përmes vizitave të drejtpërdrejta, apo takimeve shumëpalëshe në samite të ndryshme. Megjithatë, zoti Hyseni thekson si tepër të rëndësishmën në këtë aspekt anëtarësimin e Kosovës ditët e fundit në Bankën Botërore dhe Fondin Monetar Ndërkombëtar.

“Anëtarësimi në këto institucione shumë të rëndësishme financiare është një dëshmi e fortë se Kosova përfundimisht është stabilizuar si shtet i pavarur, ka ruajtur stabilitetin makro-ekonomik përmes një disipline buxhetore dhe se përfundimisht ajo po bëhet pjesë e familjes financiare ndërkombëtare që shtron para Kosovës edhe obligime, por edhe privilegje.”

Me rëndësiështë fakti që rreth 40 vende që nuk e kanë njohur Kosovën kanë votuar për anëtarësimin e saj edhe në Bankën Botërore edhe në Fondin Monetar Ndërkombëtar, çka në mënyrë indirekte e bën më optimiste perspektivën anëtarësimit eventual të Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.

Ndërkohë, Kosova pret vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila do të vendosë mbi legjitimitetin e shpalljes së pavarësisë. Por zoti Hyseni shprehet me optimizëm edhe për vendimin këshillues që do të marrë kjo Gjykatë në të ardhmen.

“Ne jemi të sigurt se vendimi këshilldhënës i Gjykatës do të jetë i favorshëm për Kosovën, sepse çështja e shpalljes së pavarësisë nuk është çështje ligjore, por është çështje vendimesh politike që marrin udhëheqësit e një vendi të caktuar, në një kohë të caktuar. Ne kemi besim të plotë tek Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë dhe besojmë se ajo do të jetë e paanshme.”

Ministri i Jashtëm i Kosovës shpreh bindjen se cilido qoftë vendimi i Gjykatës, ai nuk do të ketë pasoja juridike, apo politike për pavarësinë e Kosovës.

Një sfidë tjetër për Kosovën mbetet njohja nga të gjitha vendet e Bashkimit Evropian.

Zëri i Amerikës: A mendoni se fakti që disa nga vendet e Bashkimit Evropian nuk e kanë njohur Kosovën mund të ndikojë tek integrimi i Kosovës në këtë Bashkim?"

“Pa dyshim, që në një term afat-shkurtër ndikon. Por në term afat-gjatë nuk mendojmë se ndikon, sepse jemi të sigurt që edhe këto 5 vende që nuk e kanë njohur ende Kosovën, do ta bëjnë këtë në një të ardhme jo shumë të largët. Natyrisht që duhet të punojmë më shumë me këto vende për t’i bindur ato se pavarësia e Kosovës ka qenë zgjedhja e duhur, se ajo është faktor stabiliteti në rajon dhe jam i sigurt se vendet që nuk e kanë njohur Kosovën po binden ngadalë dita ditës.”

Por për Kosovën dhe qytetarët e saj, problematik nuk ka qenë vetëm fakti i mosnjohjes nga disa vende. Pengesa kanë sjellë edhe fletëarrestet e lëshuara nga Serbia përmes Interpolit, në bazë të të cilave është arrestuar disa herë ish kryeministri i Kosovës Agim Çeku. Zoti Hyseni thotë se qeveria e Kosovës po përpiqet t’i zgjidhë edhe këto çështje të mbetura nga e kaluara e saj.

“Ministria e Punëve të Jashtme ka bërë të gjitha veprimet për ta liruar zotin Çeku nga arresti i fundit në Bullgari dhe ai është liruar. Ne po bëjmë sa mundemi për të lobuar tek vendet anëtare të Interpolit që fletëarrestet e Republikës së Serbisë të mos merren parasysh, aq më tepër ato fletëarreste që janë skajshmërisht politike. Kosova ende nuk është anëtare e Interpolit dhe si pasojë mundësia e ndikimit është e kufizuar. Sidoqoftë, si Ministria e Brendshme ashtu edhe Ministria e Drejtësisë në bashkëpunim me Ministrinë e Jashtme po përpiqen që pasojat nga këto fletëarreste të montuara politike të Serbisë të mos hetohen më në Kosovë.”

Zoti Hyseni shton se në raste të tilla, vendet e ndryshme duhet të komunikojnë drejtpërdrejt me autoritetet e Kosovës. //bsa//

XS
SM
MD
LG