Lidhje

4 mijë marinsa amerikanë dislokohen në Afganistanin jugor


Rreth 4 mijë marinsa amerikanë zbarkuan sot në zonat e kontrolluara nga talebanët në Afganistanin jugor, duke filluar operacionin e parë madhor në kuadrin e strategjisë së re të Presidentit Barak Obama për stabilizimin e atij vendi.

Rreth 650 trupa dhe policë afganë iu bashkuan ofensivës dhe hynë para agimit në Luginën e Poshtme të Lumit Helmand. Në anën tjetër të kufirit në Pakistan, ushtria dislokoi trupa për të interceptuar militantë, që përpiqen të largohen.

Sipas njoftimeve lokale, ushtarët e çliruan distrikin Khan Nashin nga forcat talebane disa orë pas fillimit të ofensivës. Sipas njoftimeve, presidenti afgan Hamid Karzai dërgoi një mesazh, duke përgëzuar forcat ushtarake dhe ato civile në këtë distrikt. Sulmet tokësore dhe ajrore janë operacioni më i madh i marinës amerikane që nga lufta e vitit 2004 për marrjen e kontrollit të qytetit irakian të Falluxhës.

Guvernatori i Helmandit i tha Zërit të Ameriksë se ofensiva të mëparshme në rajon shpesh përfundonin pa ndonjë rezultat konkret dhe luftëtarët talebanë rimerrnin kontrollin e territorit, sapo ishin larguar trupat.

XS
SM
MD
LG