Lidhje

Vazhdon ofensiva ushtarake në Afganistan


Ofensiva ushtarake e udhëhequr nga amerikanët në Afganistan për t’iu kundërvënë militantëve dhe për të fituar mbështetjen e afganëve në jugun e kontrolluar nga talebanët, vazhdoi sot me hyrjen e trupave në më shumë fshatra të thella.

Rreth 4 mijë marinsa amerikanë dhe disa qindra forca afgane zunë pozicione në provincën Helmand, bazë e militantëve, të cilët në përgjithësi kanë rezistuar kontrollin e qeverisë qëndrore.

Zyrtarët thanë se trupat hasën në qendresë sporadike nga ana e militantëve, ndërsa ngritën postblloqe dhe kërkonin udhëheqësit civilë lokalë. Ky operacion ka për qëllim të ndërpresë linjat e furnizimit për talebanët, të sigurojë mbështetjen e banorëve lokalë, që janë simpatizantë të militantëve dhe ruajtjen e sigurisë për zgjedhjet presidenciale, që do të mbahen muajin e ardhshëm.

Zyrtarë të ushtrisë amerikane thanë se një marins u vra dhe disa të tjerë u plagosën.

Ky është operacioni i parë i madh pas rishikimit të strategjisë për Afganistanin të ndërmarrë nga administrata Obama, e cila synon të mposhtë kryengritjen e rigjallëruar talibane.

Ndërkohë në Afganistanin lindor, zyrtarët amerikanë thanë se ushtria po përdor të gjitha mjetet e disponueshme për të gjetur një ushtar amerikan që mendohet të jetë rrëmbyer nga militantët në provincën e Paktikas të martën. (ze)

XS
SM
MD
LG