Lidhje

Shqipëri: Numërimi i votave të fundit krijon tensione të reja


Në Shqipëri zëdhënësi i Komisionit Qendror i Zgjedhjeve, Leonard Olli bëri publike mbrëmë rezultatet paraprake të zgjedhjeve të 28 qershorit sipas të cilave koalicioni i udhëhequr nga Partia Demokratike kishte siguruar 71 deputetë nga 140 vende në parlamentin e vendit.

Ky ndryshim, sipas të dhënave të ofruara nga zoti Olli, ishte rrjedhojë e ndryshimit të raporteve në Qarkun e Fierit. Deklarata e zotit Olli u kundërshtua me forcë nga Nënkryetarja e Komisionit Qendror, sipas së cilës nuk ka asnjë vendim të këtij institucioni për rezultate paraprake dhe kur ende nuk është mbyllur numërimi, për më tepër kur ky proces përfshin edhe shumë kuti nga qarku i Fierit.

Reagim të ashpër patën edhe socialistët të cilët e quajtën këtë një manovër të Kryeministrit Sali Berisha.

Sikur të mos mjaftonte ngarkesa e lartë elektrizuese në atmosferën paszgjedhore, një deklaratë e papritur e zëdhënësit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Leonard Olli, e ndezi edhe më tej atë. Ndërsa gjatë gjithë këtyre ditëve Komisioni kishte ofruar të dhëna të pjesshme mbi rezultatet, përqindjet e partive të papërkthyera në mandate, mbrëmë zëdhënësi Olli, dha ato që i cilësoi si rezultate paraprake:

"Të përkthyera tashmë në mandate, rezulton që subjektet apo koalicionet respektive të kenë: Në total Aleanca e Ndryshimit 71 vende në parlament, Aleanca Socialiste për Integrim 4 vende dhe Bashkimi për Ndryshim 66 vende apo mandate".

Deri tani, rezultatet jo zyrtare kishin dhënë një raport votash sipas të cilave koalicioni i Partisë Demokratike kishte siguruar 70 mandate përkundrejt 66 të Partisë Socialiste dhe 4 të Lëvizjes Socialiste për Integrim. Një e dhënë me të cilën ishte pajtuar edhe Partia Demokratike, ose të paktën nuk e kishte hedhur asnjëherë poshtë, aq sa dhe Kryeministri Berisha, ndërsa shpallte se i kishte numrat për të formuar qeverinë i referohej edhe votës përcaktuese të ofruar publikisht nga anëtari i LSI Dritan Prifti i cili ka deklaruar se do të mbështesë qeverinë e djathtë.

Raporti i ri i deputetëve, sipas zëdhënësit të KQZ, mbështetej në ndryshimin e numrave në qarkun e Fierit: "Aleanca e Ndryshimit 7, Bashkimi për Ndryshim 8."

Por qarku i Fierit është më problematiku dhe sytë e të dy partive kanë qenë mbërthyer këto ditë te një numër i konsiderueshëm kutish votimi që do të duhet të numërohen nga Komisioni Qendror. Pra loja aty është e hapur.

Deklarata e zëdhënësit Olli provokoi reagime të menjëhershme. Nënkryetarja e Komisionit, përfaqësuesja socialiste, Dëshira Subashi, e quajti pozicionimin e tij si një akt në kundërshtim me ligjin dhe shpërdorim detyre:

"Lidhur me deklarimin e zotit Olli, unë besoj se jemi përpara një veprimtarie që nuk lidhet me urdhërimet e KQZ... Askush nuk ka të drejtë të përkthejë shifrat në mandate pa një vendimmarrje të Komisionit. Aq më tepër që rezultati zgjedhor është në shqyrtim."

Reagim mjaft i ashpër mbërriti edhe nga Partia Socialiste dhe kryesuesi i listës së kandidatëve të saj për deputetë në qarkun e Fierit Gramoz Ruçi:

"Duke nxjerrë përpara shqiptarëve kukullën e tij që ka në krye të KQZ, për të folur për të ashtuquajtura rezultate paraprake, Sali Berisha vazhdon të shkelë standardet e zgjedhjeve dhe vazhdon të bëjë përpjekjet e tij të fundit, të dëshpëruara për të marrë në rrugë të paligjshme mandatin që populli shqiptar më 28 qershor nuk ia dha atij. Nuk ka asnjë rezultat paraprak që i jep Sali Berishës 71 mandate".

Zoti Ruçi tha se kryeministri duhet të tërhiqet nga përpjekjet për të diktuar rezultatin e votës duke kërcënuar se në rast të kundërt do të përballet me opozitën edhe në rrugë.

Situata e krijuar pas deklaratës së zëdhënësit të Komisionit rrezikon të tensionojë situatën edhe në këtë komision ku praktikisht do të shqyrtohen dhe numërohen të gjitha kutitë e mbetura të votimit. //ii

XS
SM
MD
LG