Lidhje

Uzina bërthamore e Bushehrit pranë funksionimit


Irani përfundoi ndërtimin e centralit të parë bërthamor në Bushehr. Ai pritet të vihet shpejt në provë para se të bëhet plotësisht operacional në fund të këtij viti. Ky është segmenti i dytë i serisë sonë mbi sigurinë e energjisë bërthamore ku do të shqyrtojmë modelin dhe ndërtimin e reaktorit bërthamor të Bushehrit, i cili u realizua me ndihmën e madhe të Rusisë.

Centrali i parë bërthamor i Iranit ndodhet në jug të qytetit Bushehr në Gjirin Persik. Për ndërtimin e saj u deshën 35 vjet.

Kur projekti filloi në vitin 1974 gjatë sundimit të Shahut, kompania gjermane Siemens u kontraktua të ndërtonte dy reaktorët, secili me kapacitet 1 mijë e 200 megavat.

Revolucioni i vitit 1979 e ndërpreu projektin. Ajatollahu Komeini deklaroi se energjia bërthamore ishte anti-islamike.

Gjatë tetë vjetëve të luftës së Iranit me Irakut që filloi në vitin 1980, Bushehri u sulmua disa herë duke u dëmtuar ndjeshëm. Kur lufta përfundoi, Irani u përpoq të merrte përsëri Siemensin për të përfunduar uzinën por kompania nuk u kthye.

Bushehri nuk u prek deri në vitin 1995, kur Rusia nënshkroi një kontratë 800 milionë dollarëshe për të përfunduar punën. Reaktori rus i instaluar në Bushehr me kapacitet gati 1 mijë megavat është i krahasueshëm me ato të prodhimeve perëndimore.

Shkencëtari i fushës bërthamore Upendra Rohatgi në Laboratorin Kombëtar Brookhaven në Nju Jork e njeh mirë strukturën e reaktorit rus.

"VVER-1000 është modeli më i fundit rus, i cili është ndërtuar njësoj si ata perendimorët që përdorin presionin e ujit. Ata kanë të njëjtin sistem sigurie dhe strukturë të mirë mbrojtëse".

Reaktori përdor ujin për disa nga funksionet kryesore. Profesori i inxhinierisë në Universitetin e Kalifornisë Jugore Muhammad Sahimi shpjegon.

"Ky reaktor përdor ujin si ftohës dhe si moderator. Ftohja është e nevojshme për të kontrolluar temperaturën e reaktorit. Moderatori apo funksionuesi është i nevojshëm për të ngadalësuar neutronet në mënyrë që ato të çojnë deri në fund reaksionin bërthamor brenda në reaktor."

Në reaktorët me ujë të lehtë si ai në Bushehr, karburanti bërthamor nxeh qarkun primar të ujit të presuar që rrotullohet. Nxehtësia nga qarku primar më pas nxeh qarkun dytësor të ujit i cili krijon avuj që lëvizin turbinën që gjeneron elektricitet.

Reaktori i Bushehrit është projektuar ndryshe nga modeli më i vjetër RBMK që shpërtheu në Çërnobil të Ukrainës në vitin 1986. Reaktori iranian në dallim nga ai i Çërnobilit është komplet i izoluar brenda një strukture mbrojtëse prej betoni dhe çeliku.

Ai është ndërtuar për të mos lejuar radio-aktivitetin të ndosë mjedisin në rast të ndonjë aksidenti. Struktura përbëhet nga disa shtresa që realizojnë këtë mbrojtje si dhe forcën për të ndalur një impakt apo shpërthim si nga brenda apo jashtë strukturës.

Pas sulmit terrorist të 11 shtatorit 2001, qeveria amerikane kreu prova për të parë nëse struktura mbrojtëse mund të duronte impaktin e një avioni.

Upendra Rohatgi thotë se rezultatet ishin pozitive.

"Zbuluan se struktura mbrojtëse mund të durojë impaktin e një avioni të mbushur me karburant të tipit 767 apo F-4. Prova u bë në Laboratorin Kombëtar amerikan Sandia dhe rezultoi se ndikimi i goditjes kishte prekur vetëm 6 centimetra në një mur betoni një metër të trashë".

Një kriter tjetër i rëndësishëm për ndërtimin e reaktorëve bërthamorë, veçanërisht në vende si Irani është rezistenca ndaj lëkundjeve sizmike. Muhammad Sahimi në Universitetin e Kalifornisë Jugore thotë se kjo çështje u shqyrtua me kujdes.

"Gjëja e parë që Organizata e Energjisë Atomike në Iran bëri ishin studimet intensive për të parë sigurinë e reaktorit bërthamor nga mundësia e një tërmeti. Zakonisht një reaktor bërthamor ndërtohen në zona ku mundësia e një tërmeti është shumë e vogël. Me sa di unë, nuk ka ndonjë aktivitet të madh sizmik aty ku është ndërtuar reaktori".

XS
SM
MD
LG