Lidhje

Robert Maknamara, një nga arkitektët e luftës së Vietnamit


Robert Maknamara, ish-Sekretari amerikan i Mbrojtjes që konsiderohet si arkitekti i strategjisë amerikane gjatë luftës së Vietnamit, ka vdekur. Të afërmit e tij thonë se ai vdiq sot në shtëpinë e tij në Uashington në moshën 93 vjeçare. Sekretari i Mbrojtjes Robert Gejts e vlerësoi zotin Maknamara si "patriot dhe një zyrtar i përkushtuar" që luajti një rol vendimtar në drejtimin që mori historia amerikane. Zoti Maknamara shërbeu si Sekretar Mbrojtjeje nga viti 1961 deri në vitin 1967. Ai u bë një figurë kontradiktore pasi ishte në këtë post kur u rrit angazhimi amerikan në Vietnam. Në vitet e mëvonshme e pranoi se arsyetimi i tij për luftën e Vietnamit kishte qenë i gabuar.

Në vitin 1961, Robert Streinxh Maknamara la një punë me pagë të lartë si president i kompanisë Ford për t'u bërë Sekretar i Mbrojtjes, post që e mbajti gjatë presidencës së Xhon Kenedit dhe Lindon Xhonsonit. Ai solli në postin e tij në Pentagon një përvojë të gjerë. Zoti Maknamara u lind në San Fransisko të Kalifornisë në vitin 1916. Ai ishte një student i shkëlqyer në Universitetin e Kalifornisë, në Bërkli ku ishte anëtar i shoqatës së njohur Fi Beta Kapa.

Maknamara mori një master në biznes në Universitetin e Harvardit. Gjatë Luftës së Dytë Botërore ai shërbeu në Forcën Ajrore të Ushtrisë amerikane. Pas luftës, ai dhe disa kolegë ofruan shërbimet e tyre si ekspertë të kontrollit të statistikave. Ishte përfshirja e Maknamarës në rolin e Amerikës në Vietnam për të cilën ai do të kujtohet më shumë. Ai konsiderohet një nga arkitektët e një politike që shkaktoi vdekjen e mbi 58 mijë ushtarëve amerikanë. Në vitin 1964, pasi Presidenti Xhonson mori detyrën, zoti Meknamara konsiderohej një njeri i fortë. Ja si shprehej ai në atë kohë.

"Vietnamezët e jugut duan që të luftojnë. Ne po japin ndihmë ekonomike. Po ndihmojmë me trajnime dhe me ndihmë logjistike. Ne nuk po bëjmë pjesën e luftimeve".

Ky qëndrim ndryshoi dramatikisht dhe zoti Meknamara e mbështeti pjesëmarrjen e shpejtë dhe në rritje të Amerikës në konflikt. Në qershor të vitit 1968, mbi 500 mijë trupa ishin në Vietnam. Maknamara dhe figura të tjera të rëndësishme me rol qëndror në hartimin e politikave, ishin mbështetës të teorisë së efektit domino.

"Nëse komunistët do të kontrollonin Vietnamin jugor, pothuajse me siguri kontrolli i tyre do të shtrihej përmes Azisë Juglindore dhe kjo do të kishte një efekt domino ndoshta deri në Pakistan, ose Filipine dhe sigurisht në Jug përmes Indonezisë. Do të jetë një betejë e gjatë. Është një luftë e vështirë, por mund të fitohet. Ne propozojmë të ndihmojmë vietnamezët ta fitojnë".

Zoti Maknamara ka shërbyer si Sekretar Mbrojtjeje më gjatë se askush tjetër. Ai ishte një nga figurat kryesorë në krizën kubaneze të raketave me Bashkimin Sovjetik. Ai mbështeti pushtimin e Gjirit të Derrave, që dështoi kur një grup të mërguarish kubanezë me mbështetjen e CIA-s, dështuan në përpjekjen për të përmbysur Fidel Kastron. U desh të vinte viti 1995, që zoti Maknamara të pranonte dështimin e politikës që në të kaluarën e kishte mbrojtur me aq pasion, në librin me kujtime "Retrospektivë: Tragjedia dhe mësimet e Vietnamit".

"Presidenti Kenedi, Sekretari i Shtetit Dean Rask, unë, Shefi i Shtatmadhorisë, të gjithë kishim marrë pjesë në Luftën e Dytë Botërore. Çërçilli tha se përgjigjia e vonuar e Perëndimit ndaj Hitlerit shkaktoi humbjen e mijëra jetëve në Luftën e Dytë Botërore. Ne ishim të vendosur që nuk do të kishte një përgjigje të vonuar ndaj agresionit komunist të viteve '50 dhe '60. Ne besojmë se komunistët po përpiqeshin të merrnin nën kontroll botën. Kështuqë kishte kërcënime. Por mendoj se në Azinë Juglindore gjykimi ynë ishte i gabuar. E kishim gabim".

Deri në vitin 1968, zoti Meknamara po fillonte të kishte dyshim për Luftën e Vietnamit, por nuk arriti të bindte presidentin, apo këshilltarët e vijës së fortë në Shtëpinë e Bardhë që të mbanin një qëndrim më të moderuar. Zoti Maknamara dha dorëheqjen nga posti i tij në Pentagon dhe u emërua President i Bankës Botërore, një pozicion që e mbajti për 13 vjet. Në Bankën Botërore, ai ndërmori një fushatë kundër varfërisë dhe drejtoi një lëvizje madhore për rritjen e angazhimit financiar për vendet e varfra. Megjithatë, atë vazhdonte ta shqetësonte nga përvoja e Vietnamit dhe efekti që kishte tek familja e tij.

Maknamara u kritikuar që nuk kishte pranuar gabimet për politikat e Vietnamit deri shumë vjet pasi la detyrën në Pentagon. Kujtimet e tij u botuan 20 vjet pas rënies së Saigonit në vitin 1975. Por zoti Maknamara tha se atëherë ishte koha e duhur për të diskutuar ngjarje që kishin ndodhur aq vjet përpara.

"Mendoj se unë dhe bashkëpunëtorët e mi, vepruam në përputhje me ato që ne mendonim se ishin në traditën tonë, parimet dhe vlerat e këtij vendi. Por ne e kishim gabim. Kështuqë unë mendoj se ne i detyrohemi brezave të ardhshëm që të shpjegojmë arsyet, të nxjerrim mësime që të mos përsërisim të njëjtat gabime".

Robert Maknamara ishte subjekti i dokumentarit të vitit 2003 "Mjegulla e Luftës". Autorët e filmit kanë thënë se përshkrimet e mëparshme të Maknamarës si arrogant dhe teknokrat i rreptë nuk shfaqen në inçizimet e bisedave të tij me Presidentët Kenedi dhe Xhonson. //kk//

XS
SM
MD
LG