Lidhje

LSI-ja i jep mandatin kryetarit të saj  për negociatat me PD-në


Në Shqipëri kuvendi i Partisë Lëvizja Socialiste për Integrim vendosi mbrëmë t'i japë mandat të plotë kryetarit të saj Ilir Meta të hyjë në bisedime konkrete me kryeministrin Sali Berisha për formimin e qeverisë së re. Gjatë kuvendit pati vetëm pak zëra kundër, ndërkohë që fjala e kryetarit Ilir Meta u ndërpre disa herë me duarktrokitje. Nga ana tjetër socialistët duket se janë të vendosur të mbajnë një qëndrim të fortë në rast se atyre do t'u mohohet një mandat për deputet që kjo parti pretendon se ka fituar në qarkun e Fierit, duke i mëshuar idesë së mosnjohjes së zgjedhjeve në një situatë të tillë.

Kryetari i Lëvizjes socialiste për Integrim Ilir Meta, i cili fundjavën e shkuar vendosi që të bashkojë katër votat e deputetëve të kësaj partie me ato të koalicionit të djathtë të drejtuar nga kryeministri Sali Berisha, edhe mbrëmë në konventën e thirrur me urgjencë për të diskutuar rreth kësaj zgjedhjeje të re politike, përdori të njejtat argumenta që ai ka bërë të njohur publikisht: nga njëra anë pamundësinë e bashkëpunimit me Partinë Socialiste, ndarjen përfundimtare siç tha ai me kryetarin e saj Edi Rama dhe nga ana tjetër nevojën që siç tha ai vendi ka për stabilitet:

"Rezultati elektoral ësht i tillë që për secilin që mund të ketë edhe ndonjë nostalgji dhe nuk ka argumenta e bën të pamundur një qeverisje PS-LSI. Të bashkohem me ta edhe sipas propozimit të tyre që tani që e kanë situatën keq të behem Kryeministër, se ata mund të blejnë ndonjë deputet nga e djathta dhe ata të fusin vendin në një kaos dhe në një situatë delegjitimimi. Çfarë mund të bëjmë tjetër? Të provokojmë patjetër zgjedhje të parakohshme. Të shkojmë brenda dy muajve në zgjedhje sërish pa komisioner, pa numërues? Apo të dalim me Edi Ramën kundër Sali Berishës për të krijuar tension dhe destabilitet në vend, dhe në fund fare Edi Rama të ulet me Sali Berishën duke i vënë të vetmin kusht që Ilir Meta nuk duhet të ketë komisioner sepse do që të zhdukë LSI-në? Ilir Meta interesave të këtij mafiozi nuk mund ti shërbejë Ilir Meta, dhe nuk e lidh asgjë më me të, dhe e bëjmë të qartë se vetëm largimi i tij nga jeta politike mund të vendosë marrëdhëniet personale dhe shoqërore, ndaj asaj masakre që organizoi kundër votës suaj dhe votës së LSI-së".

Gjatë Kuvendit pati vetëm pak zëra kundër. Nënkryetari Pëllumb Xhufi tha se vendimi ishte i nxituar dhe se LSI-ja mund të mbështesë shumicën e djathtë e të japë votat për çështjet që përputhen me programin e saj por jo të bëhet pjesë e ekzekutivit. Ndërsa zoti Fatos Klosi, ish drejtues i shërbimeve sekrete shqiptare ne fund të viteve '90, ishte kategorikisht kundër.

Por zoti Meta beson se koalicioni me të djathtën do të jetë funksional dhe i dobishëm:

"Për vetë produktin elektoral të këtij kodi, koalicioni më i frutshëm që mund të jetë për demokracinë dhe qeverisjen në vend është pikërisht koalicioni PD-LSI. Sepse garanton një qeverisje të qëndrueshme, por garanton dhe një opozitë të fuqishme si ajo e PS-së".

Nga ana tjetër socialistët, që duhet të kalojnë edhe 4 vite të tjera në opozitë, janë të vendosur t'i shkojnë deri në fund kërkesës së tyre për njohejne mandatit te 9-te në qarkun e Fierit dhe denoncimin e parregullsive të rënda që sipas tyre janë bërë gjtë procesit të zgjedhjeve. Dje kryetari socialist mblohi të 140 kandidatët që garuan më 28 qershor dhe rastit të Fierit at i kanë shtuar edhe kërkesën për rishikimin e një numri të madh votash të shpallura të pavlefshme ne qarkun e Beratit. Në rast të kundërt vednimi i tyre duket tashmë i marrë: mosnjohje të zgjedhjeve. Gjë e cila mund të sillte një reaksion zinxhir, që nga tërheqja e përfaqësuesve në Komisionin qëndror të zgjedhjeve deri te mospjesmarrja në parlament.//kk//

XS
SM
MD
LG