Lidhje

Përparim në negociatat për emrin mes Greqisë dhe Maqedonisë


Një ndërmjetës i Kombeve të Bashkuara theksoi se është shënuar përparim në negociatat për t’i dhënë fund mosmarrëveshjeve 18-vjeçare ndërmjet Greqisë dhe Maqedonisë, që kanë penguar antarësimin e Maqedonisë në Nato.

I dërguari i OKB-së Mathew Nimetz, në komentet në Athinë, nuk dha hollësi për përparimin e arritur. Ai gjithashtu nuk pranoi të bënte komente dje në Shkup.

Por media në të dyja kryeqytetet njofton se ai ka propozuar që, si kompromis, republika ish-jugosllave të pagëzohet me emrin “Republika e Maqedonisë Veriore”.

Greqia dhe fqinji i saj verior janë mbërthyer në një mosmarrëveshje disa vjeçare lidhur me shtetin që gëzon të drejtën ligjore për emrin Maqedoni, që kur Maqedonia shpalli pavarësinë nga ish-Jugosllavia në vitin 1991.

Greqia këmbëngul se emri Maqedoni nënkupton ambicje territoriale ndaj territorit të saj verior që mban të njëjtin emër. Qeveria greke bllokoi antarësimin e Maqedonisë në Nato në vitin 2008, si rezultat i kësaj mosmarrëveshjeje. //bsa//

XS
SM
MD
LG