Lidhje

Presidenti Obama në sytë e botës


Një anketë e re e zhvilluar mes 19 mijë e 914 pjesëmarrësve nga disa prej vendeve më të mëdha si Kina, India, Indonezia dhe Rusia tregon se njerëzit kanë besim të madh tek presidenti amerikan Barak Obama. Megjithatë, anketa tregon se shumë njerëz ende besojnë se Amerika përpiqet të përdorë forcën ushtarake për të imponuar vullnetin e saj. Studimi u zhvillua nga organizata World Public Opinion, një bashkim grupesh studimore.

Të pyetur nëse kishin besim se Barak Obama do të bënte “atë që duhet” në marrëdhëniet e jashtme për të gjitha vendet, përveç Shteteve të Bashkuara, rreth 61 përqind e të anketuarve u përgjigjën se kanë një farë besimi apo shumë besim.

Megjithatë, shumica e pjesëmarrësve nga të 20 vendet e anketuara nga organizata World Public Opinion thonë se Shtetet e Bashkuara përdorin kërcënimin e fuqisë ushtarake për të fituar avantazh.

Mesatarisht, rreth 77 përqind e të anketuarve i perceptonjnë Shtetet e Bashkuara si kërcënuese.

Në përgjithësi, mendimet ishin të ndryshme për pyetjen nëse Shtetet e Bashkuara po luajnë rol pozitiv në botë.

Randa Slim punon në Institutin Amerikan të Paqes.

Ajo thotë se zoti Obama duhet të bazohet tek mbështetja që mori pas fjalimit të tij në muajin qershor në Kairo.

“Mendoj se zoti Obama duhet të japë rezultate afatshkurtëra për çështje që janë të rëndësishme për njerëzit, në mënyrë që popujt e rajonit t’i shohin marrëdhëniet e tyre me qeverinë dhe popullin amerikan si të rëndësishme. Çështja e parë është konflikti arabo-izraelit. Ngrirja e ndërtimeve izraelite do ta ndryshonte lojën.”

Në një treg të Jeruzalemit perëndimor, izraelitët dhe plaestinezët jepnin mendime të ndryshme për zotin Obama.

“Pas fjalimit në Kairo kam krijuar përshtypjen se është njeri i mirë, president i mirë dhe se do ta ndihmojë popullin palestinez.”

“Ai nuk është në gjendje të udhëheqë botën. Por ai mund t’i tërheqë vëmendjen botës tek paqja. Ndoshta do t’u kujtojë njerëzve se është koha për paqe në botë.”

Randa Slim thotë se zoti Obama duhet t’i përmbahet afatit të tij për tërheqjen e trupave amerikane nga Iraku deri në fund të 2011-ës. Ajo thotë se do të ishte mirë që ai, po ashtu, të takohej me grupe myslimane që përfaqësojnë vlerat islamike mbizotëruese.

“Mendoj se ai duhet t’u flasë drejtpërdrejt popujve me shumicë myslimane dhe t’u thotë atyre si e sheh ai, edhe pse i përket besimit kristian, demokracinë sipas parimeve islamike.”

Stivën Kall është drejtor i organizatës që zhvilloi studimin e titulluar “Imazhi Global i Amerikës në Epokën e Obamës.”

“Si do të trajtojnë Shtetet e Bashkuara palët islamike? Gjatë fjalimit të tij në Kairo, zoti Obama nuk dha një përgjigje të qartë. Ekziston mendimi se Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të shkelin parimet e tyre demokratike, nëse mendojnë se palët islamike nuk do ta ndihmojnë politikën e jashtme amerikane. Dhe kjo është diçka negative sipas myslimanëve në të gjithë botën, duke përfshirë Indonezinë.”

54 përqind e indonezianëve, shprehën besim tek zoti Obama për sa u përket çështjeve botërore.

“Ne e shohim se ai e trajton familjen e tij mirë dhe besojmë se do të bëjë të njëjtën gjë edhe me popullin.”

55 përqind e të anketuarve në Kinë dhanë të njëjtin mendim.

“Ai është president tërheqës, i ri dhe duket se ka plot pasion dhe energji.”

Përtej politikës, të anketuarit shprehën shqetësim për rolin amerikan në luftën kundër ndryshimit të klimës globale, ku shumica në 11 nga 18 vende nuk ishin dakort. //bsa//

XS
SM
MD
LG